E Diel, 1 Nëntor 2026

GREQI – Të vdekur dhe të zhdukur pas një tragjedie me refugjatë pranë Kretës

ATHINË, 21 shkurt /ATSH-DPA/ – Të paktën tre persona kanë humbur jetën pas një aksidenti me një varkë pranë ishullit të Kretës.

Viktimat besohet të jenë migrantë nga Libia që po përpiqeshin të arrinin në Kretë dhe më pas në Bashkimin Evropian.

Sipas transmetuesit grek “ERTNews”, 20 persona janë shpëtuar.

Një portal lokal raportoi se dhjetëra të tjerë rezultojnë të zhdukur.

Autoritetet greke kanë nisur operacione të gjera kërkimi dhe disa anije po marrin pjesë në aksion.

Aksidenti ndodhi rreth 15 milje detare në jug të zonës Kaloi Limenes, në pjesën jugore të ishullit turistik, në kushte të vështira me erëra të forta jugore që po e komplikojnë operacionin e shpëtimit.

Grupet e trafikimit të qenieve njerëzore shpesh transportojnë migrantë nga Libia dhe Turqia drejt Kretës ose ishujve grekë në Detin Egje.

Sipas Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët UNHCR, rreth 42 000 migrantë arritën në ishujt grekë nga deti në vitin 2025, ndërsa 107 persona humbën jetën në Mesdheun lindor.

Autoritetet greke besojnë se numri real i viktimave është më i lartë, pasi shumë raste nuk raportohen.

Rreth dy javë më parë, 15 migrantë humbën jetën në një tjetër aksident pranë ishullit grek të Kiosit./   /Ad.Ab./  a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›