FOKUS – Dita Ndërkombëtare e gjuhës amtare: Një thirrje globale për mbrojtjen e identitetit dhe diversitetit gjuhësor

TIRANË, 21 shkurt /ATSH/ – Bota shënon sot Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare, një datë që i kushtohet mbrojtjes së diversitetit gjuhësor dhe promovimit të arsimit në gjuhën e parë.
Kjo ditë u shpall në vitin 1999 nga UNESCO dhe festohet globalisht që prej vitit 2000, si një thirrje për respekt ndaj identitetit kulturor dhe të drejtave gjuhësore.
Origjina e saj lidhet me ngjarjet dramatike të 21 shkurtit 1952 në Daka kur studentë bangladeshas dolën në protestë duke kërkuar njohjen e gjuhës së tyre si gjuhë zyrtare.
Në atë kohë, Pakistani, fqinjë kishte vendosur urdu si të vetmen gjuhë shtetërore, megjithëse shumica e popullsisë në pjesën lindore fliste bengalisht.
Protestat u shtypën me dhunë dhe disa studentë humbën jetën, duke u kthyer në simbol të rezistencës për të drejtën për të folur dhe mësuar në gjuhën amtare.
Lëvizja vazhdoi dhe në vitin 1956 bengalishtja fitoi statusin e gjuhës shtetërore.
Sot, 21 shkurti përkujtohet në Bangladesh si Dita e Martirëve të Gjuhës.
Sipas të dhënave të UNESCO, rreth 40 për qind e gjuhëve në botë janë të rrezikuara nga zhdukja, ndërsa një gjuhë humbet mesatarisht çdo dy javë.
Organizata thekson se miliona fëmijë ndjekin shkollën në një gjuhë që nuk është ajo e shtëpisë, çka ndikon negativisht në rezultatet e tyre arsimore.
Ekspertët e arsimit argumentojnë se mësimi fillestar në gjuhën amtare përmirëson aftësitë e leximit, ul braktisjen shkollore dhe lehtëson mësimin e gjuhëve të tjera. Gjuha shihet jo vetëm si mjet komunikimi, por si bartëse e historisë, traditës dhe dijes së një komuniteti.
Në një kohë globalizimi dhe dominimi të gjuhëve të mëdha ndërkombëtare, Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare shërben si kujtesë se ruajtja e gjuhëve të vogla nuk është luks kulturor, por domosdoshmëri për barazi, përfshirje dhe zhvillim të qëndrueshëm. /Ad.Ab./