Gajda: Sfidë, gjuha e urrejtjes dhe aksesi për personat me aftësi të kufizuara

TIRANË, 15 dhjetor /ATSH/ Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Robert Gajda, së bashku me organizatat e shoqërisë civile zhvilluan një konferencë kushtuar shqyrtimit të veprimtarisë së institucionit gjatë vitit 2025 dhe forcimit të bashkëpunimit për mbrojtjen nga diskriminimi në vitin 2026.
Gjatë fjalës së tij, Gajda theksoi se mosrespektimi i barazisë gjinore mbetet një problem i dukshëm në Shqipëri. Ai nënvizoi se ligji i miratuar kohët e fundit, synon të trajtojë diskriminimin midis burrave dhe grave.
Komisioneri vuri në dukje se sfida të tjera të rëndësishme mbeten: gjuha e urrejtjes, aksesueshmëria për personat me aftësi të kufizuara dhe strehimi për komunitetet rome. Ai nënvizoi se këto çështje duhet të vendosen në qendër të prioriteteve të institucionit për vitin 2026.
“Kemi pasur më përpara ligjin për barazinë gjinore, i cili ka dhënë kontributin e vet, por nuk ka qenë i mjaftueshëm për të zgjidhur çështjen e pabarazisë gjinore. Diskriminimi me bazë gjinore është shpesh edhe pararendës i dhunës me bazë gjinore dhe i mohimit të shumë të drejtave për gra dhe vajza në Shqipëri. Pikërisht eliminimin e kësaj e synon ligji i ri që u miratua në Kuvend”, deklaroi Gajda.
Institucioni synon që përmes bashkëpunimit me shoqërinë civile dhe angazhimeve institucionale, të forcojë mekanizmat për mbrojtjen e të drejtave dhe promovimin e barazisë për të gjithë qytetarët.
/a.f/r.e/