E Hënë, 2 Nëntor 2026

Berisha: Nisim betejën përfundimtare për fitoren e opozitës

TIRANË, 15 dhjetor /ATSH/ Partia Demokratike zhvilloi sot protestën e përjavshme para godinës së Kryeministrisë, ku është vendosur edhe foltorja nga ku përfaqësues të opozitës do t’i drejtohen qytetarëve.

Gjatë fjalës së tyre, deputetët po ngrenë shqetësime mbi problematikat e qarqeve nga të cilët janë zgjedhur, ndërsa po përsërisin kërkesën për largimin e qeverisë.

E para që mori fjalën ishte deputetja Albana Vokshi, e cila solli sërish në vëmendje rezolutat ndërkombëtare që mbështesin pretendimet e PD-së, lidhur me zgjedhjet e 11 majit.

Ndërsa deputetja Ina Zhupa foli mbi situatën ekonomike në vend. Sipas saj “asnjë para nga buxheti i shtetit nuk shkon te qytetarët. Nga shtatori në Kuvend nuk kemi miratuar një ligj të vetëm që t’i shërbejë qytetarëve. Kalojnë vetëm ligje për oligarkët”.

Duke marrë fjalën në foltore, kryetari i PD-së, Sali Berisha u shpreh se PD nis betejën e saj përfundimtare për fitoren e opozitës, për fitoren e shqiptarëve.

Berisha solli në vëmendje edhe protestën e zhvilluar nga nisma “Shqipëria Bëhet”, përpara Kryeministrisë. “Shikoni se ç’bën çdo natë me Adriatik Lapajn, në protestën e tij më qytetare, më civile. Vë një karrige aty, disa mjete dhe proteston në emër të çdo qytetari. Çdo ditë, me orë të tëra policia, banditët ua heqin çadrat, u heqin tavolinat, u heqin ujin me akte banditeske”, u shpreh Berisha.

Kreu i PD-së informoi mbi vendimin e forumeve të PD-së, se nuk ka rrugë tjetër përveç protestës dhe përballjes.

“I ftoj shqiptarët të arsyetojnë. Votën po ua shkelmon dhe duke u shkelmuar votën, i shkelmon lirinë e tyre. Për t’u blerë votën në zgjedhjet e fundit u fali 2 miliardë euro 83 mijë bizneseve, në një kohë kur 760 mijë pensionistë nuk blejnë dot ilaçet, nuk sigurojnë dot kafshatën e muajit. Votën e rrëmbeu me banditë të administratës, amoralë që shndërrojnë misionin e tyre, detyrën e tyre në shërbim të qytetarëve, në plaçkitës dhe grabitës së votës së tyre. Votën e grabiti me banda”, tha Berisha.

Sipas tij, është faktuar para shqiptarëve dhe botës se Edi Rama është armik i votës së lirë të shqiptarëve, armik i demokracisë së shqiptarëve.

“Nuk duhet t’i ndahemi asnjë minutë derisa ta largojmë nga skena”, tha ai.

E konceptuar si platformë parlamentaro-qytetare, ky tubim ka në fokus denoncimet e deputetëve të PD-së dhe aleatëve, por edhe qytetarëve ndaj qeverisë.

Të pranishëm në protestë ishin deputetë të PD-së dhe përfaqësues të partive aleate, ndërsa i është bashkuar edhe Adriatik Lapaj.

Protesta e PD përpara Kryeministrisë, Foto: Andrin Hoxha 1 nga 6

/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›