E Diel, 1 Nëntor 2026

Gallatasarai, dëmtohet Cana sot do të mësohet diagnoza

Turqi U përplas me një shok gjatë stërvitjes. Mund të mungojë në Beograd

Nga Stambolli mbërrin një lajm i hidhur për shqiptarët. Futbollisti më i talentuar kuqezi në arenën ndërkombëtare, Lorik Cana, ka pësuar një dëmtim, diagnoza e të cilit ende nuk është përcaktuar qartë. Lajmi është bërë i njohur dje nga mediat e shumta turke, sipas të cilave, mesfushori i Kombëtares kuqezi është dëmtuar pas një përplasjeje me një nga shokët e skuadrës gjatë seancës së djeshme stërvitore të Gallatasarait. Kjo përplasje ka rezultuar fatale për Canën, i cili më pas ka qenë i detyruar të dalë nga fusha, duke e përfunduar aty seancën stërvitore. Sikurse është bërë e ditur nga shtypi turk, futbollisti shqiptar do të duhet të presë ende për të mësuar se sa i rëndë është ky dëmtim. Kjo për faktin se sot në mëngjes mesfushori shkatërrues do të duhet t’i nënshtrohet kontrollit të mjekëve të klubit të njohur turk, të cilët do të përcaktojnë diagnozën e saktë. Gjithsesi, ka mjaftuar ky dëmtim gjatë ndeshjes së kontrollit në stërvitje, për të rindezur edhe një herë debatin mbi lojën e ashpër të tij. Madje disa nga analistët sportivë turq theksojnë se afrimi i tij ka qenë një lëvizje e gabuar e presidentit të Gallatasarait, Adnan Polat dhe trajnerit holandez Frenki Rajkard. Sipas tyre, do të ishte më mirë që të mos ishte shitur Mehmet Topall, pasi ai do të ishte më i vlefshëm se shqiptari. Ky i fundit paragjykohet ende pa u parë si duhet në fushën e blertë. Loja agresive e Canës i bën analistët të mendojnë se ai do t’i shkaktojë shumë probleme skuadrës turke, pasi do të marrë shumë kartonë. Disa specialistë turq u janë kundërvënë disa homologëve të tjerë të tyre, duke ju thënë se “Ju ndoshta nuk e keni parë kurrë të luajë Canën, ndaj nuk e keni idenë e lojës së tij të rëndë!”. Gjithsesi për momentin futbollisti shqiptar gëzon mbështetjen e drejtuesve më të lartë të klubit, si atë të presidentit Polat dhe të trajnerit Rajkard, të cilët kanë trumbetuar disa herë me të madhe se “Cana do të jetë një lojtar shumë i rëndësishëm për Gallatasarain në sezonin e ardhshëm”. Në favor të mesfushorit kuqezi është shprehur edhe kapiteni Arda Turan. Të enjten në mbrëmje Cana ka bërë edhe betimin zyrtar të tij me bluzën me numër 19 të Gallatasarait. Ai u aktivizua si zëvendësues në minutën e 83 të takimit Gallatasarai-OFK Beograd 2-2, e vlefshme për turin III eliminator të Europa League. Ndërkohë dëmtimi ka vënë në rrezik aktivizimin e shqiptarit në ndeshjen e kthimit në Beograd të enjten e ardhshme.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›