Tirana, pesë lojtarë bojkotojnë skuadrën
Te Tirana ka “bojkot”. është ky lajmi më i fundit që vjen nga kampi bardheblu. Skuadra me në krye trajnerin Sulejman Starova dhe shefin e klubit, Rauf Dimraj, është nisur dje paradite në drejtim të qytetit verilindor të Pukës, ku edhe është parashikuar të zhvillohet një minifazë përgatitore 10-ditore në prag të fillimit të sezonit të ri. Por ekipi nuk ka qenë i plotë, pasi pesë nga lojtarët titullarë të edicionit të kaluar, por edhe pjesë e katër ndeshjeve në dy turet e para të eliminatoreve të Europa League, nuk i janë bashkuar pjesës tjetër të grupit, duke e bojkotuar kështu këtë fazë përgatitore. Portieri Blendi Nallbani, mbrojtësit Tefik Osmani e Elvis Sina dhe mesfushorët Lila e Julian Ahmataj, kanë zgjedhur të mos bashkohen me skuadrën për të udhëtuar drejt Pukës. Një vendim i tillë ka ardhur si një formë proteste. Shkak për këtë është bërë moskorrektësia e drejtuesve të lartë të klubit, të cilët nuk kanë paguar ende futbollistët. Një arsye ka qenë edhe mosnënshkrimi i kontratave të reja për disa nga këta pesë futbollistë. Burime pranë tyre kanë bërë të ditur se gjatë negociatave për rinovimin e kontratave, klubi atyre u ka ofruar shuma jo të kënaqshme, gjë që i ka bërë ata ta refuzojnë ofertën e parë dhe janë shprehur të gatshëm për tratativa të reja. Por një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Po ashtu, grupi i lojtarëve të përfshirë në bojkot kanë shprehur pakënaqësi ndaj trajnerit Sulejman Starova, të cilin e “akuzojnë” se nuk i ka mbrojtur sa duhet në këtë vendim të klubit. Ata theksojnë se “trajneri bëri çmos për të marrë Hysën me vete në fazën përgatitore, ndërkohë që për ne nuk bëri përpjekjen më të vogël”. Ndërkohë që pjesa tjetër e skuadrës, nën drejtimin e trajnerit Starova, është larguar nga Tirana për të nisur fazën përgatitore. Nuk dihet ende se cili do të jetë fati i lojtarëve që nuk kanë pranuar të jenë pjesë e ekipit në përgatitjet për sezonin e ardhshëm. Situata në klub nuk është më e mira për momentin. Vetëm pak ditë më parë u vu gjithçka në diskutim, për shkak të problemeve të shumta në marrëdhëniet mes drejtuesve të lartë, presidentit Refik Halili dhe shefit të klubit, Dimraj. Por një gjë e tillë u zgjidh në një mënyrë të çuditshme në orët e vona të natës së të mërkurës. Në bazë të marrëveshjes janë plotësuar dëshirat e presidentit Halili, si dhe të shefit të klubit, Dimraj. Kjo, pasi të dy do të kenë të drejtën e vulës e të firmës, si dhe të vendimmarrjeve në klub. Kështu që te Tirana asgjë nuk do të bëhet pa miratimin e tyre. Ndërkohë që pas këtij vendimi, presidenti do të shpenzojë më shumë për ekipin. Përveç shumës së 200 milionë lekëve, të detyruara të jepen në bazë të kontratës, pritet që Halili të derdhë më shumë para për të mbajtur futbollistët, si dhe për të bërë blerjet e reja. Më parë ishte vetëm shefi i klubit ai që mund të vendoste dhe të firmoste duke përfaqësuar klubin, ndërkohë që, nga ana tjetër, kontratat lidheshin me presidentin Halilin. Por në fund ishte Dimraj ai që vuloste dhe firmoste për Tiranën. Duket se një gjë e tillë nuk do të ndodhë më. Tani duhet të mësohemi me një Tiranë me “dy koka”, por që shumë shpejt kjo mënyrë drejtimi mendohet se do të shkaktojë të tjera probleme, pasi palët kanë demonstruar se kanë shumë divergjenca për sa u përket ideve të tyre.
#