E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gara për kreun e LSI-së, Luan Rama takime në Pogradec

Kandidati për kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama, në vazhdën e takimeve që po zhvillon në të gjithë vendin për të prezantuar platformën e tij në kuadër të garës për kreun e ri të LSI-së ishte në një takim me gratë dhe vajzat e Lëvizjes së Gruas për Integrim në Pogradec.
 

Në fjalën e tij Luan Rama deklaroi se zgjedhjet e 20 tetorit për kryetarin e LSI-së janë një test i rëndësishëm për të demonstruar pjekurinë politike dhe organizative të LSI-së. Ai u shpreh se me kandidimin e tij ofron një alternativë, ofron një mundësi për të zgjedhur, ofron një shans për të krijuar një dimension tjetër të lidershipit politik të LSI-së.   “Fushata ime nuk ka karakter mohues për askënd por unë e ofroj një alternativë, ofroj një mundësi për të zgjedhur, ofroj një shans për të krijuar një dimension tjetër të lidershipit politik të LSI-së", tha kandidati për kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama.
 

Ai u shpreh se nga gara dhe ballafaqimi i alternativave Lëvizja Socialiste për Integrim fiton tek vetvetja dhe në sytë e opinionit publik.
"LSI nga gara, ju në Konventën e Gruas e demonstruat këtë, nga ballafaqimi i alternativave, nga konkurrenca e hapur, e ndershme dhe korrekte, nuk ka dëm përveçse fiton, ka vlerë. LSI nga artikulimi i mendimit ndryshe, i mendimit të kundërt, i kritikës për kryetarin, për sekretarin apo për ministrin, nuk humbet, fiton tek vetvetja dhe në sytë e opinionit publik. Shikoni ç`ndodh me partitë e tjera politike. Askush nuk guxon të dalë dhe të thotë një fjalë kundër kryetarit, kundër liderit por gjithçka kanalizohet në emra individësh, edhe nëse guxon ndonjë në PS, fjala vjen të çohet dhe të thotë ndonjë gjë kundër apo ndryshe nga çfarë mendon Edi Rama, ai të nesërmen nuk është anëtari i PS-së, e përzënë, siç përzunë Kastriot Islamin ose krijojnë klimë mbytëse të mos ndjesh vetveten, siç ka ndodhur edhe kur kam ikur unë nga Partia Socialiste ose merrni Partinë Demokratike. Më thoni një emër të dikujt që guxon të dalë dhe të kritikojë kryetarin e Partisë Demokratike, tek LSI-ja është ndryshe, dhe që ka frymë debati dhe konkurrence, ballafaqimi dhe alternativash padyshim kjo është meritë edhe lidershipit aktual të LSI-së dhe vetë kryetarit të LSI-së” tha Luan Rama.
 

Ai është shprehur gjithashtu se mundësia për të gjykuar për kandidatët është më realiste dhe kjo do të na bëjë të mundur që ne të shkojmë në zgjedhje me tjetër autoritet dhe me të tjera kredenciale përballë qytetarëve. “Unë gjykoj që duke menduar dhe punuar me këtë angazhim dhe me këtë përgjegjshmëri, ne do ta bëjmë LSI-në shumë më me peshë politike dhe elektorale në vend. Do ta bëjmë LSI-në që të jetë faktori përcaktues jo vetëm i pushtetit, por i tërë qeverisjes së vendit", tha ndër të tjera nga Pogradeci, kandidati për kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›