Gara për kreun e PD-së, Basha: Koha të hapim letrat dhe të tregojmë pasurinë e çdo politikani

Teksa data për mbajtjen e zgjedhjeve për kreun e PD-së po afron, ish-kryedemokrati Lulzim Basha ka zhvilluar një takim me qytetarët në Pogradec. Ndërsa nuk i kurseu akuzat ndaj maxhorancës për korrupsion, ku përmendi edhe dosjen e ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, Basha tha se ka ardhur koha që të “hapen letrat” dhe të tregohet pasuria e çdo politikani.
“Sot është koha t’i japim fuqi votës dhe zërit të qytetarëve përmes listave të hapura, vetting-ut në politikë, kufizimit të mandateve e votës së diasporës. Për këtë ne duhet të bëjmë gjithçka mundemi, bashkë me çdo shqiptar, të majtë e të djathtë, për të bërë të mundur këto ndryshime, duke kërkuar edhe referendum. Sot është e qartë. Ata që duan monopol mbi politikën, median, ekonominë dhe duan që Shqipëria të mbetet në duart e tyre, janë kundër vetting-ut, janë kundër llogaridhënies për pasuritë e tyre dhe lidhjet me krimin, që përdorin në çdo palë zgjedhje. Mjafton të shihen dosjet e korrupsionit të Ahmetajt, ministrave, deputetëve dhe kryebashkiakëve të Edi Ramës për të kuptuar si i vjedhin paratë e shqiptarëve, si e përdorin krimin për të blerë zgjedhjet, si kriminelët përcaktojnë përfaqësuesit e tyre në Kuvend, si shteti i tyre funksionon si një organizatë kriminale. Sot është koha të hapim letrat dhe të tregojmë pasurinë e çdo politikani. Të shohim a i justifikojnë apo jo!”, tha Basha
Sipas Bashës, qytetarët duhet të zgjedhin përmes votës së tyre të drejtpërdrejtë deputetët, teksa shtoi se PD do ta sjellë këtë ndryshim, në rast se ai do të zgjidhet në krye të partisë.
“Sot është koha që shqiptarëve t’u japim mundësinë të zgjedhin përmes votës se drejtpërdrejt deputetët e tyre. Partia Demokratike mund dhe do ta sjellë këtë ndryshim, duke u bashkuar përmes vlerave dhe ideve në Aleancën Qytetare për Demokracinë, nëpërmjet së cilës mund të formojmë një shumicë që tejkalon ndarjet politike, për të bërë ndryshimet kushtetues që u japin forcë dhe pushtet qytetarëve për të ndërtuar të ardhmen që meritojnë”, u shpreh Basha.
Basha është në garë për drejtimin e PD-së me Gjergj Hanin, ndërsa fushata do të zgjasë deri më 27 korrik. Zgjedhjet për kreun e PD-së do të mbahen më 29 korrik.
/rtsh.al/