Gara që ndezi “Fest 63”, Shkodra Elektronike, Elvana, apo Arlis? Zefina Hasani zbulon veçantinë

Zefina Hasani, autore e Fest ‘63 dhe pjesëmarrëse e ekipit të Shqipërisë në Bazel, në emisionin “Një Shqipëri” me Mentor Nazarkon, solli në vëmendje dhe një herë, garën në festivalin e fundit të këngës në RTSH.
Ajo tha se gara ishte më e fortë mes “Shkodrës Elektronike”, Elvana Gjatës dhe Arlis, që mori çmimin e tretë, por sipas saj “Zjerm” kishte uniken që solli tribalin, folkun të përpunuar shumë bukur me elektroniken dhe kjo ka qenë pika e fortë e “Shkodrës Elektronike”.
“Festivali ynë, në momentin që u përzgjodhën këngët kishte disa këngë të mira, që i mendon se do të jenë në garë të fortë. Gara shkoi më e fortë mes “Shkodrës Elektronike” dhe Elvana Gjatës, por edhe Arlis, që mori çmimin e tretë; ishte në ujërat që mund të ndodhte që dhe një baladë e bukur të mund të fitonte. “Zjerm” kishte uniken që solli tribalin, folkun të përpunuar shumë bukur me elektroniken dhe kjo ka qenë pika e fortë e “Shkodrës Elektronike” që në gjenezë të tyre. Ato këngët e harruara filluan t’i sillnin në stil elektronik dhe filluan të ngjitin. Ata e kërkuan skenën pa ambicie për të fituar, por për të sjellë në një ambient më të gjerë, atë që kishin sjellë”, tha ajo.
Sipas Zefina Hasanit, suksesin që “Zjerm” solli e ka ndjellë karakteri unik i Beatriçes dhe Kolës.
“Ishte një këngë jo e lehtë për t’u kuptuar në fillim, por më pas, sa më shumë këndohej…ti nuk e harron më si këngë. U kuptua shpejt, që dhe të huajt filluan ta pëlqejnë dhe ta këndojnë. Filozofia që mbart kënga ka bërë që të mësojnë fjalët kyçe. Të gjithë artistët e tjerë, këndonin ‘shnrit’. Këtë lloj suksesi e ka ndjellë dhe karakteri unik i tyre që ishin të sinqertë në çdo intervistë. Ishin artistët që po zbuloheshin”, theksoi ajo.
Shqipëria u rendit e teta në “Eurovision 2025”, që u zhvillua në Bazel të Zvicrës. “Zjerm” e “Shkodrës Elektronike” grumbulloi 218 pikë në total. Kënga e Shqipërisë fitoi zemrat e publikut, pasi mori nga votat e tyre 173 pikë, ndërsa nga të jurisë vetëm 45 pikë. Edicionin e 69-të të Eurovizionit e fitoi Austria, me “Wasted Love” të JJ.
/rtsh.al/