Gardistët: Qëlluam pasi nisi të qëllonte Prendi. Fatos Skejës i shkon fletëthirrja për në prokurori

Ndrea Prendi me pistolete ne dore
Gardistët kanë deklaruar se ata kanë nisur të qëllojnë me armë zjarri në momentin kur diçka të tillë e ka bërë Komandanti i Gardës, Ndrea Prendi. Lajmin e bën të ditur gazeta Shqip, duke iu referuar burimeve në prokurori. Hetuesit kishin dyshimet e tyre në lidhje me faktin se kush dha urdhër të qëllohej. Por gardistët kanë thënë se sipas ligjit të përdorimit të armëve, në rast se qëllon komandanti, ushtarët e ndjekin. Sipas Shqip, prokuroria ka prova se ka qenë Prendi ai që ka qëlluar i pari. Po ashtu dyshimet janë se Myrtaj është qëlluar i pari. Prendi ka qëlluar 11 plumba nga pistoleta e tij. Në drejtim të turmës janë qitur 131 plumba. Katër qytetarë mbetën të vdekur si pasojë e këtyre plumbave.
Ndërkohë siç raporton GSH, gardistit Fatos Skeja i ka mbërritur fletëthirrja për në prokurori për ngjarjet e 21 janarit. Ai akuzohet nga familjarët e Hekuran Dedës se ka dijeni për ekzekutorin e vëllait të tyre.