E Diel, 1 Nëntor 2026

Lirohet i riu i letrave anti-ruse, por Ambasada denoncon sërish

Dashamir Biçaku

Bledar Pojana, djaloshi 27 vjeçar që alarmoi ambasadën e Federatës Ruse në Tiranë banon në rrugën Dëshmorët e Fekenit, në zonën e ish- serave, në rrugën e Kavajës. Ai banon në një shtëpi njëkatëshe të thjeshtë bashkë me prindërit, gjyshërit dhe vëllezërit e tij, Astritin dhe Rolandin. Nga jashtë murit të shtëpisë, nuk mund të dallosh thuajse asgjë, veç dritës së fortë të televizorit që ndodhet në një dhomë në krahun verior të shtëpisë. Degët e një hardhie rrushi janë hapur thuajse në të gjithë oborrin e shtëpisë.

Ziles së portës së jashtme fillimisht nuk i përgjigjet askush. Por pas tre ose katër minutash në derë shfaqet një burrë i shëndoshë me mustaqe, me flokët të shkurtër të thinjur me fytyrë të mbushur. Urdhëroni, kush jeni, kë kërkoni?,- thotë burri i veshur me një pulovër leshi. Është babai i Bledarit, Hysniu.

Pas pak sekondash aty afrohen dy gra, njëra e moshuar dhe tjetra pak më e re. Është gjyshja Zelihaja dhe nëna, Xhuvane. Por pa pritur përshëndetjen e mikut, i ati i Bledarit, Hysniu ta pret: Mos je gjë gazetar, çfarë doni pse keni ardhur? – Ai kërkon largimin nga dera e shtëpisë.

Ajo që ka ndodhur dhe sikleti me policinë i ka lënë shije të hidhur 60 vjeçarit, i cili para më shumë se 10 vitesh ndërtoi një shtëpi në zonën e ish- serrave, ku tashmë jeton me prindërit, të shoqen dhe tre djemtë. Jemi të shqetësuar për djalin. Por ai nuk ngacmon njeri, – thotë gjyshja, Zelihaja E ëma e Bledarit, qetëson bashkëshortin dhe shton: Policia e ka arrestuar kot. E morën mbrëmë na njoftuan dhe më pas e sollën në mes të natës. I ati mbyll portën e shtëpisë akoma pa mbaruar Xhuvane fjalën e fundit duke shfryrë nga inati.

Policia e Tiranës ka lënë të lirë të riun e arrestuar dy ditë më parë me akuzën se kishte kërcënuar Ambasadën e Rusisë në Tiranë. Policia deklaroi se ai ka probleme mendore, version i zakonshëm në rastet kur çështja duhet të mbyllet shpejt. Por askush nuk i kthen përgjigje pyetjes, nëse është i sëmurë, pse nuk është atje ku mbahen të sëmurët dhe pse është dashur të lëvizë Anti-Terrori për të kryer këtë arrestim.

Ambasada Ruse: Pas lirimit të të riut, kemi marrë kërcënim tjetër me telefon

TIRANË Por pak orë pas lirimit të të riut të arrestuar, zyrtarët e Ambasadës së Federatës Ruse në Republikën e Shqipërisë kanë depozituar një tjetër denoncim në policinë e Tiranës. Ata thonë se janë kërcënuar sërish. Këtë herë në denoncim thuhet se kërcënimi ka ardhur me telefon.

Në lidhje me kërcënimet me letra policia e Tiranës arrestoi për llogari të antiterrorit Bledar Pojanën, 28 vjeçarin nga Ndroqi, me banim në rrugën Dëshmorët e Fekenit, por… Stafi ka denoncuar se përmes telefonit është shqetësuar personeli i ambasadës.

Sërish policia e kryeqytetit ka shkuar dje në Ambasadën e Federatës Ruse në Republikën e Shqipërisë duke verifikuar denoncimin. Hetuesit kanë marrë dëshminë e personit që i është përgjigjur telefonit.

Denoncimi i kërcënimeve me telefon është i treti brenda dy muajve nga Ambasada e Federatës Ruse në Republikën e Shqipërisë. Në fillim të janarit zyrtarët e kësaj ambasade u ankuan në polici se dikush u kishte hedhur fishekzjarre në oborr, duke krijuar panik tek personeli. Më pas denoncuan një person të veshur me rroba ushtarake dhe me një shall të kuq që dorëzonte letra kërcënuese dhe tani denoncuan kërcënimin e tretë. Si pasojë e këtyre ngjarjeve policia e Tiranës ka shtuar masat e sigurisë në territorin e jashtëm të ambasadës me qëllim shmangien e problemeve të ndryshme, të paktën në perimetrin e jashtëm. d.biçaku


Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›