E Shtunë, 31 Tetor 2026

Garë e ngushtë tri ditë para zgjedhjeve

Tri ditë të fushatës elektorale kanë mbetur para zgjedhjeve presidenciale në SHBA.

Sondazhet tregojnë një garë të ngushtë në mes të dy kandidatëve, presidentit Barack Obama dhe sfiduesit të tij republikan, Mitt Romney.

Të dy kandidatët, që bënë fushatë në Midwest, shpotitën njëri-tjetrin në lidhje me shifrat e papunësisë së muajit tetor, të cilat treguan për rritje të papunësisë nga 7.8 sa ishte muajin e kaluar, në 7.9 për qind, por gjithashtu edhe për rritjen më të madhe të vendeve të reja të punës, se sa që është pritur.

Obama tha se vendet e reja të punës dëshmojnë se politikat e tij në katër vjetët e kaluara e kanë vendosur SHBA-në në rrugën e rimëkëmbjes.

Duke iu referuar të dhënave të njëjta, Romney tha se një rritje e lehtë e përqindjes së papunësisë është “një përkujtues i hidhur se ekonomia është në një ngecje virtuale”.

Në anën tjetër, një minutë heshtje për viktimat e uraganit “Sandy” nuk qetësoi pasionin politik të ish-kryebashkiakut të Neë Yorkut, Rudy Giuliani, i cili gjatë një fushate zgjedhore në Ohajo përkrah Mitt Romney dhe kandidatit për zëvendëspresident, Paul Ryan, deklaroi se presidenti Obama duhet të kishte dhënë dorëheqjen përpara disa kohësh.

”Obama duhet të ishte dorëhequr kohë më parë, për dështimet e njëpasnjëshme që amerikanët kanë përjetuar gjatë administratës së tij”, nisi fjalimin e tij të ashpër Giulani, i eliminuar në garën e republikanëve për të sfiduar Obamën në vitin 2008 nga John McCain, më pas kandidati humbës i atyre zgjedhjeve.

”Të dhënat e fundit tregojnë se papunësia është rritur në 7.9 për qind. Kjo do të thotë se ka më shumë të papunë sot, sesa në momentin kur Obama mori detyrën dhe për këtë, administrata aktuale duhet të ndihet e turpëruar, ashtu si edhe për shumë çështje të tjera”, akuzoi Giuliani, i cili u ndal gjerësisht tek “paaftësia” e autoriteteve, në parandalimin e sulmit mbi konsullatën në Libi, që solli edhe vrasjen e ambasadorit Christopher Stevens.

Deklaratat e ish-kryebashkiakut erdhën pasi të premten, Departamenti i Punës publikoi shifrat e fundit për papunësinë, të cilat u interpretuan në mënyra të ndryshme nga secilit prej kandidatëve.

Ndërsa 171 mijë vende të reja pune u krijuan në tetor, më shumë nga sa ishte parashikuar prej ekonomistëve, papunësia gjithashtu u rrit, si rrjedhojë e më shumë personave të rifutur në tregun e punës, duke nisur intensivisht kërkimet e tyre për punësim.

Një person duhet të jetë në moshë aktive dhe të kërkojë aktivisht për punësimin, në mënyrë që të klasifikohet si i papunë.

Në ndërkohë gazeta prestigjioze, New York Times, e cila ka mbështetur publikisht Obamën, shkroi se i biri i Mitt Romneyt, Met, këtë javë ka vizituar Moskën, duke kërkuar investues rusë për firmën e tij “Exel Trust”.

Sipas gazetës, Met Romney, vetëm disa ditë para përfundimit të fushatës të së atit, ka pasur disa takime pune në Moskë, në përpjekje për të bindur biznesmenët me ndikim rusë që të investojnë në firmën e tij.

Përveç kësaj, shkruan NYT, Met Romney si duket ka pasur edhe një mision të fshehtë, të cilin ja ka besuar i ati: ai i ka thënë një zyrtari të lartë rus, i cili ka mundësi që t’ia përcjellë fjalët e tij presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, se babai i tij, përkundër retorikës së ashpër gjatë fushatës, dëshiron marrëdhënie të mira me Moskën.

Gjatë paraqitjeve të tij publike, Romney e ka cilësuar Rusinë si “armikun numër një gjeopolitik të SHBA-së.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›