E Diel, 1 Nëntor 2026

Gastroenteritet dhe enterovirozat në Gjirokastër, në Urgjencë ka rritje të numrit të pacientëve

Me rritjen e ndjeshme të temperaturave janë shtuar edhe rastet me viroza në traktin tretës që kërkojnë ndihmë në urgjencën e spitalit të Gjirokastrës. Mes pacientëve që paraqiten ka dhe nga ata që kanë nevojë për hospitalizim. Numri ka ardhur në rritje thotë shefja e këtij shërbimi Jona Leka si tek moshat pediatrike dhe tek të rriturit.

“Me bark, të vjella, temperaturë, ne i fusim në grupin e enterovirozave, gastroenteriteve që shoqërohen edhe me temperaturë ndër të tjera. Numri është i lartë si tek moshat e rritura edhe tek moshat pediatrike. Rastet nuk kanë qenë të komplikuara, por ama kanë qenë raste të cilat kanë patur nevojë për mjekim edhe spitalor”, u shpreh shefja e Urgjencës, Jona Leka.

 E ndërsa vera është në pikun e saj Leka rendit edhe masat paraprake që duhen marrë për t’i shmangur enterovirozat.

“Siç është kujdesi me ushqimet e parapërgatitura, ushqimet e gatuara jashtë shtëpisë, hidratim i mirë, limitimi i kontaktit me subjektet të cilët kanë problematika të tilla të shfaqua, të barkut, të vjellave, temperaturës dhe natyrisht në shfaqjen e parë të simptomave paraqitja tek mjeku i familjes fillimisht në mënyrë që të fillohet terapia hidratuese dhe pastaj terapinë ndihmëse varës shqetësimeve që ka pacienti”, tha ajo.

5 deri në 10 raste në 24 orë paraqiten në urgjencën e spitalit rajonal “Omer Nishani” të prekur nga enterovirozat dhe gastroenteritet.

Gazetar: Y.Ponde

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›