E Diel, 1 Nëntor 2026

Rinisin së shpejti gërmimet në Sardë, pjesë e projektit “Lugina e Drinit në Mesjetë”

Në ishullin e Shurdhahut, në liqenin e Vaut të Dejës, në vitet e fundit janë zhvilluar kërkime arkeologjike në rrënojat e qytetit mesjetar të Sardës. Projekti shqiptaro-francez ka dokumentuar strukturat e qytetit dhe zhvillimin e tij gjatë Mesjetës.

Gjatë gërmimeve të mëparshme është zbuluar një rrethim i ri mbrojtës, që dëshmon se Sarda ka pasur një sistem fortifikimi me tre unaza. Drejtori i DRTK Shkodër, Helidon Sokoli, bën të ditur se misioni arkeologjik do të rikthehet sërish gjatë verës për të vijuar kërkimet.

“Lugina e Driniit në mesjetë që vitin e kaluar u përqëndrua në qytetin e Sardës në ishullin e Shurdhaut edhe këtë vit po ashtu do ë përqëndrohet pikërisht në këtë areal arkeologjik, pra në këtë sitë arkeologjik në ishullin e Shurdhaut. Ai është një mision shqiptar francez dhe do fillojë shumë më vonë, pra do fillojë nga fundi i gushtit deri në mesin e shtatorit. Misioni shqiptaro-francez po gërmon në pjesën më të sipërme të kodrës së qytetit, aty ku po dokumentohet edhe një nga kishat që përsupozohet që të jetë ndër më të hershmet e qytetit mesjetar. Këtë vit do besojmë do përfundojmë edhe dokumentimin e plotë të saj dhe do dalim edhe në konkluzionin edhe të datimit të saktë të saj”, tha Helidon Sokoli, drejtor, DRTK Shkodër.

Projekti “Lugina e Drinit në Mesjetë” realizohet në bashkëpunim mes institucioneve shqiptare dhe franceze dhe synon të zbulojë më tej historinë e një prej qendrave më të rëndësishme mesjetare në veri të vendit. Përpara gërmimeve është kryer edhe pastrami i zonës nga vegjetacioni për të lehtësuar punën e arkeologëve.

/RTSH/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›