E Diel, 1 Nëntor 2026

Gati gjysma e evropianëve vuajnë nga sëmundjet mentale

Nga Express më 07 shtator 2011 në ora 21:00

Në ditët e sotme është shumë i madh numri i personave që vuajnë nga forma të ndryshme të sëmundjeve mentale, por situata në Evropë është dukshëm alarmante, tregojnë të dhënat e hulumtimeve më të reja, sipas të cilave 40 për qind e evropianëve vuajnë të paktën nga një sëmundje e tillë.

Studimi trevjeçar i neuro-psikologëve nga Universiteti në Drezden ka treguar se gati gjysma e evropianëve vuan nga çrregullime të trurit, qoftë fjala për depresioni, pagjumësia, skizofrenia ose demenca.

Bëhet fjalë për 165 milionë njerëz, ndërsa vetëm një e treta e tyre merr ndihmë prej ekspertëve.

Shumica e të sëmurëve paraqet barrë të madhe sociale dhe ekonomike, pasi që paaftësia e tyre për punë dhe mos efikasiteti vlerësohet në qindra miliona euro.

Hulumtimi ka përfshirë 514 milionë njerëz nga 27 vende të Bashkimit Evropian, Zvicra, Islanda dhe Norvegjia.

“Sëmundjet mentale janë bërë sfidë për shëndetësinë evropiane në shekullin 21”, thonë autorët e studimit.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) parashikon që deri në vitin 2020 depresioni do të jetë sëmundja e dytë për nga renditja, e cila do të përcjellë banorët e botës të të gjitha moshave.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›