E Hënë, 2 Nëntor 2026

Gati inaugurimi i Donald Trump, masa të larta sigurie për rikthimin historik të Presidentit

Presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të betohet të hënën në një ceremoni madhështore e cila është zhvendosur në ambiente të brendshme për shkak të motit të keq dhe temperaturave të ulëta të cilat pritet të arrijnë deri në -14 gradë.

Trump do të bëjë betimin rreth orës 12:00, me kohën lokale, duke shënuar zyrtarisht një rikthim të jashtëzakonshëm politik.

Pas betimit presidenti i 45-të dhe i 47-të do të mbajë një fjalim që përcakton agjendën e tij për katër vitet e ardhshme.

Trump pritet të flasë për disa iniciativa politike që ai është zotuar t’i zbatojë menjëherë pas marrjes së detyrës, duke përfshirë mbylljen e kufirit jugor, fillimin e operacionit më të madh të dëbimit të emigrantëve në historinë e SHBA-së dhe faljen e kryengritësve të 6 janarit.

Pas Trump, do të bëjë betimin edhe zëvendës presidenti, JD Vance.

Në ceremoni pritet të marrin pjesë të gjithë ish-presidentët amerikanë, krerë dhe ish-krerë shtetesh nga e gjithë bota si dhe personalitete nga fusha të ndryshme ku dominojnë ata të teknologjisë.

Ceremonia e inaugurimit ishte përgatitur të priste përpara Capitolit deri në 300 mijë qytetarë dhe protestues por ndryshimet për shkak të motit e bëjnë të paqartë numrin e pjesëmarrësve.

Megjithatë masat e sigurisë janë në nivelet më të larta. Mijëra personel të zbatimit të ligjit do të jenë në gatishmëri së bashku me ushtarakë dhe anëtarë të gardës kombëtare.

Ceremonia inaguruese Trump-Vance është mundësuar nga donacione që arrijnë në mbi 170 milionë dollarë të dhuruara kryesisht nga kompanitë teknologjike por edhe ato të automjeteve.

Trump është personi më i vjetër në histori që ka marrë detyrën si president me 78 vjet e 220 ditë. Ai është pesë muaj më i madh se Biden kur u betua në vitin 2021./vizionplus.tv

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›