Gati paketa e re fiskale, turizmi i kërkon lehtësira qeverisë

Qeveria shqiptare ka filluar punën për hartimin e paketës se re fiskale që shoqëron buxhetin e vitit 2024.
Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka filluar punën për përgatitjen e një paketë të re fiskale, që shoqëron buxhetin e vitit të ardhshëm.
Por paketa e re duhet të marrë në konsideratë edhe kërkesat e biznesit për arritjen e një klime më të favorshme për të bërë biznes.
Industria e turizmit, si një industri që prodhon rreth gjysmën e prodhimit të përgjithshëm të brendshëm, kërkon lehtësi fiskale dhe ekonomike nga qeveria shqiptare.
“Një nga kërkesat që ne i kemi bërë Ministrisë në takimet që kemi zhvilluar, ka qenë ulja e TVSH-së në sektorin e ushqimit dhe shërbimeve të tjera, për t’u barazuar me pjesën e lehtësive fiskale që qeveria shqiptare ka bërë për subjektet që janë për t’u stimuluar, në mënyrë që të mos ketë konkurrencë të pandershme, pasi Shqipëria nuk është një vend që ka të zhvilluar turizmin elitar, kështu që kjo duhet të shtrihet në të gjithë sektorët e tjerë. Këtë punë e ka bërë pothuajse i gjithë rajoni, kështu që për të qenë konkurrent ne duhet detyrimisht të njësojmë TVSH-në. Kërkesa e dytë e rëndësishme për ne është që punonjësit sezonalë të jenë punonjës të përfshirë gjatë gjithë vitit, gjë që e bën edhe rajoni,” deklaron Zak Topuzi, përfaqësues i industrisë dhe Kreu i Shoqatës së Hoteleri-Turizmit, pjesë e Shoqatës Shqiptare të Turizmit (ATA).
Topuzi tha për televizionin publik se janë në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet dhe kanë bërë gati paketën e kërkesave ndaj këtyre autoriteteve për të siguruar një partneritet më të mirë, në mbështetje të kësaj industrie dhe të rritjes e fuqizimit të saj edhe nëpërmjet lehtësive që qeveria mundet e duhet të ofrojë për këtë industri.
Gazetar: Bardhi Sejdarasi
/rtsh.al/