E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gati për Oscar

Ai është evenimenti më i rëndësishëm në botën e kinematografisë. Është fjala për ceremoninë e ndarjes së çmimeve Oscar. Janë gjithsej 24 kategori në të cilat garojnë prodhimet kinematografike më të mira të vitit 2011. Në një mbrëmje gala me pritshmëri të madhe gara mes konkurrentëve është shumë e fortë.

Filmi epik 3D i Martin Skorcese, "Hugo" është kandiduar më shumë se të gjithë filmat e tjerë me 11 kandidatura, mes të cilave edhe për filmin më të mirë dhe regjisorin më të mirë. Ky film tregon historinë e një djali jetim i cili jeton brenda një ore gjigante në një stacion hekurudhor në Paris.

Me 10 kandidime, filmi “The Artist” i Michel Hazanavicius është një nga filmat me pritshmëri shumë të mëdha. Historia zhvillohet në Hollywood-in e viteve ’27-32 dhe fokusohet në marrëdhënien e një aktori të vjetër të filmave pa zë dhe një aktoreje të re. Filmi tregon edhe se si filmi pa zë u zëvendësua nga filmi me zë. Pasi fitoi 7 çmime Bafta dhe 3 Golden Globe, “The Artist” sipas parashikimeve është konkurrenti më i fortë këtë vit. Gara për filmin më të mirë zhvillohet mes ‘The Artist’, ‘The Descendants’, ‘Extremely Loud and Incredibly Close’, ‘The Help’, ‘Hugo’, ‘Midnight in Paris’, ‘Moneyball’, ‘The Tree of Life’ dhe ‘War Horse’.

Krahas këtyre filmave zhvillohet gara për çmimin regjisori më i mirë. Gara e fortë zhvillohet mes Woody Allen me filmin ‘Midnight in Paris’, Michel Hazanavicius me ‘The Artist’, Terrence Malick me ‘The Tree of Life’, Alexander Payne me ‘The Descendants’ dhe Martin Scorsese me filmin ‘Hugo’.

Ylli i filmit ‘The Artist’, Jean Dujardin konkurron për "Oscar"-in e aktorit më të mirë, George Clooney për rolin në ‘The Descendants’, Demian Bichir në ‘A Better Life’, Brad Pitt në ‘Moneyball’ dhe britanikut Gary Oldman në ‘Tinker Tailor Soldier Spy’. Pasi rrëmbeu trofeun si aktori më i mirë në edicionin e 65 të çmimeve Bafta aktori Jean Dujardin është pretendenti kryesor për këtë trofe.

5 aktore janë në garë për çmimin Aktorja më mirë. Michelle Williams, Rooney Mara,

Glenn Close, Maryl Streep, Viola Davis. Të gjitha kanë interpretime cilësore megjithatë kritika ka nisur të pikase dallimet mes tyre. Pretendentja kryesore është Maryl Streep.

Ajo na sjell atë që mund të ishte dhe roli i një jetë të tërë, portretin personal të Margaret Thatcher. Streep na sjell një grua të brishtë të plakur që lufton me sëmundjet mendore që përpiqet të mbajë dinjitetin e saj dhe që kujtesa i sjell fragmente të jetës së saj të ashpër e të paepur.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›