E Shtunë, 31 Tetor 2026

Interes për letërsinë e Kosovës

Në një intervistë ekskluzive për Deutsche Welle Annemarie Türk nga KulturKontakt Austria thotë se Evropa Perëndimore duhet të bëjë më shumë për ta prezantuar skenën kulturore të Kosovës në Evropë.

"Die besten aus dem Osten" (Më të mirët e Lindjes), kështu titullohet seriali i përvjetshëm teatror në Volkstheater të Vjenës. Këtë vit është seria e 10-të dhe ajo i kushtohet Kosovës. Trupa e Qendrës Multimedia prezanton premierën e pjesës teatrale ‘Yue Medlin Yue’ të dramaturgut Jeton Neziraj. Është një tragjikomedi absurde muzikore që tematizon përpjekjet e një familjeje rome për t'u sistemuar në Kosovën kaotike të pasluftës. Regjisorja Katrin Hiller ka përgatitur me disa aktorë austriakë një lexim për skenë të ‘Lufta në kohën e dashurisë’ të Jeton Nezirajt. Po ashtu në fundjavën kulturore, e cila krahas qeverisë austriake dhe Volkstheater mbështetet edhe nga Ambasada e Kosovës në Vjenë, prezantojnë veprat e tyre më të fundit edhe Beqë Cufaj (Projekt@party) dhe Ervina Halili (poezi).

Zonja Türk: Ju keni organizuar këtë fundjavë një festival për Kosovën. Sa njihet letërsia kosovare në Austri?

Türk: Për fat të keq nuk njihet edhe aq shumë, sepse ka shumë pak përkthime. Më i njohuri nga të gjithë është Beqë Cufaj, i cili ka pasur shumë sukses me dy librat e tij të nxjerra nga shtëpia botuese vjeneze ‘Zsolnay’. Në Zvicër janë bërë disa përkthime nga disa shtëpi të vogla botimi. Para disa vitesh është botuar një vëllim me poezi i Ali Podrimjes nga ‘Wieser’. Por në përgjithësi mund të thuhet se është përkthyer shumë pak. Pra, duhet bërë shumë më tepër për ta bërë letërsinë kosovare më të njohur tek ne.

Si perceptohet letërsia e Kosovës në Austri?

Türk: Festivali që po zhvillohet këtë fundjavë në Volkstheater është thuajse i shitur. Publiku nuk përbëhet vetëm nga shqiptarë të diasporës, por edhe nga shumë austriakë. Kjo na gëzon, sepse edhe gazeta kryesore e Vjenës “Falter” i kushtoi këtij aktiviteti dy faqe të plota, ndër të tjerash edhe me një intervistë të gjatë me Jeton Nezirajn, i cili prezantohet me dy pjesë teatrale, njëra syresh është premierë botërore.

Me sa duket oferta e teksteve nga Kosova është më e vogël se kërkesa për to. Ç'mund të bëjnë vetë kosovarët për ta rritur shkallën e njohjes së tyre në hapësirën gjermanofolëse?

Türk: Ajo çka mund të bëjnë kosovarët është që të përpiqen të vijnë në hapësirën gjermanofolëse në kuadër të programeve “Writers in Residence”. Ne tani për shembull kemi në Vjenë si mysafire Ervina Halilin, më vonë do të na vijë Gëzim Aliu. Gjatë qëndrimeve të tyre nëpër këto programe shkrimtarët lidhin kontakte, lexojnë shkrimet e tyre para publikut, me ç'rast krijohet mundësia e përkthimit të teksteve. Në këtë mënyrë ata i prezantohen një publiku më të gjerë. Por nuk janë vetëm kosovarët ata që duhet të bëjnë më shumë në këtë drejtim. Unë mendoj se, para së gjithash, vendet e Evropës Perëndimore, e këtu hyjnë edhe vendet ku flitet gjermanisht, duhet të marrim vetë iniciativën dhe të lidhen më shumë me shkrimtaret dhe shkrimtarët e Kosovës. Ne duhet të përpiqemi që t'i publikojmë ata nëpër revista letrare, libra, t'i inkuadrojmë të marrin pjesë nëpër festivale letërsie dhe mbrëmje letrare.

Çfarë bën konkretisht KulturKontakt Austria për letrarët nga vendet e Ballkanit?

Türk: KulturKontakt Austria është krijuar në vitin 1989 dhe qysh nga viti 1990 nxisim këmbimet kulturore me Evropën Lindore dhe Juglindore. Ne kemi disa programe. Përveç programit “Writers in Residence”, mbështesim financiarisht edhe përkthime librash. Kjo ndodh nëpërmjet rrjetit TRADUKI, i cili është një rrjet që lidh sektorin privat me atë publik e ku derdhin paratë të gjitha vendet ku flitet gjermanisht si dhe Sllovenia e Kroacia. Nga këto fonde financohen përkthime ndërmjet gjuhëve të Ballkanit dhe gjermanishtes. KulturKontakt merret pikërisht me përkthimet nga vendet e Ballkanit në gjuhën gjermane. Çdo autor mund të bëjë kërkesën për përkthim, se cilët do të përkthehen vendoset nga një instancë ku përfaqësohen të gjitha institucionet pjesëmarrëse.

A është e nevojshme që autorët shqiptarë të kenë gjetur më parë një shtëpi botuese në hapësirat gjermanofone?

Türk: Natyrisht që do të ishte gjë e mirë. Zakonisht përkthimet financohen kur të paktën ekziston një shtëpi botuese që ka shprehur dëshirën për botim. Por në faqen e internetit të TRADUKI-it, e cila është në të gjitha gjuhët e Evropës Juglindore, ne kemi hapur një rubrikë, në të cilën prezantojmë autorët dhe veprat e tyre. Këtë punë e bën pikërisht KulturKontakt Austria. Synimi është që botuesit nga vendet e ndryshme gjermanofone të mund të informohen për këta autorë dhe të krijojnë përshtypjen e parë për ta. Dhe kjo rrugë ka dalë me sukses.

Pra, ju do t'i inkurajonit autorët shqiptarë të ofronin profilet e tyre?

Türk: Do të ishte mirë që ata të na dërgonin diçka për veten, qoftë edhe në anglisht, si dhe disa tekste në origjinal. Përkthimin e bëjmë ne. Nuk bëjnë mirë nëse na i dërgojnë tekstet të përkthyera nga përkthyes që nuk janë profesionistë dhe që nuk e kanë gjermanishten gjuhë amtare, sepse përkthimi është shumë i rëndësishëm. Një tekst i mirë ka nevojë për një përkthyes të mirë. Le të na e lënë më mirë neve ta bëjmë përkthimin.

A janë fitimprurës librat e përkthyer nga shqipja apo mendoni se pa mbështetje financiare ato nuk mund të botohen?

Türk: Mbështetje financiare nuk duan vetëm librat shqiptarë. E njëjta gjë ndodh edhe me autorë të panjohur bullgarë e ukrainas. Por nuk është as nevojshme të dalim jashtë kufijve: Edhe autorë të rinj austriakë kanë nevojë për mbështetje financiare në fillim, në mënyrë që të lexohen dhe të dëgjohen. Pa të nuk bëhet.

T'i rikthehemi në fund skenës letrare të Kosovës: Nga tekstet që keni lexuar deri tani, cila është përshtypja juaj për to?

Türk: Ajo çka më bie në sy është se sa e gjallë është kjo skenë, sa të mëvetësishëm dhe të fuqishëm janë shkrimet e këtyre autorëve. Ajo që më çudit është se merren relativisht pak me të kaluarën, pra me luftërat e rajonit: Për dallim nga boshnjakët ose serbët ata janë shumë më të orientuar drejt së ardhmes.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›