Gati për rekordin e shtatë

Pas një pune më shumë se tri javë, artisti Saimir Strati duket i relaksuar dhe i kënaqur me punën që e ka bërë në hotel Prishtina. Murali i tij, i bërë me fasule, që paraqet shqiponjën dykrenare, është gati të zbulohet dhe në këtë mënyrë Strati të futet për herë të shtatë në librin e rekordeve Guinness.
Ceremonia zyrtare e gjykimit nga përfaqësuesit e librit të rekordeve Guinness do të mbahet sot (e hënë) në orën 16:00, në Prishtinë. Nëse Strati e thyen edhe rekordin e shtatë të Guinness-it atëherë Kosova për herë të parë do të futet në librin e rekordeve. Këtë nder Strati po ia bën Kosovës, për shkak të ndihmës që i ofroi Kosova vendit të tij, Shqipërisë, gjatë shpalljes së pavarësisë 100 vjet më parë. Subjekti i muralit është flamuri kombëtar, ndërsa dimensionet janë 62 metra katrorë.
Për ta bërë këtë mural, Strati ka përdorur më shumë se 400 kilogramë fasule. Strati ka thyer gjashtë rekorde Guinness me veprat e tij në mozaik. Rekordin e parë e ka thyer në vitin 2006 me mozaikun ‘Leonardo Da Vinçi’, të cilin e ka ndërtuar me 400 kilogramë gozhda. Të dytin rekord Guinnes e ka thyer në vitin 2007, me veprën e tij ‘Shpirti i pakontrolluar’, në vitin 2008 me veprën ‘Mediterraneana’, në 2009 me figurën e mbretit të popit, Michael Jacksonit, më 2010 ka thyer rekordin me veprën ‘Monedhat e artistëve’ dhe më 2011 me veprën ‘Një botë, një familje, një kafe’.