Njësimi i idesë me ndjenjën

Poetja Mimoza Erebara, me vargun ndriçon të tashmen, shpërndan dritë në të ardhmen dhe sytë e publikut krijojnë ndriçimin e mendjes. Poezitë, nuk janë aq të mbështjellura, por konkrete, të kuptueshme, që krijojnë një atmosferë të mbyllur në shumë aspekte të saj. Poezia bëhet shterp, hiç, nëse nuk paralajmëron pafundësinë. Pikërisht, emocioni valëvitet drejt kulmit dhe hapësirës pa fund, ku zogjtë e rrallë fluturojnë. Fjalët dhe fjalitë që përdorë, kanë forma të vargëzimit. Fytyra e brendshme apo pantomima, bëhet oratorike gjatë vargut të shkurtër.
“E lirë”, një titull grishësh, me ngjyra që përplasen kah një membranë shpirtërore, që ka qeliza dhe në veten e saj rritej, por vdiste. Ajo ëndërr vetëm brenda autores rritej, por është një ëndërr gjenetike, e kthjelltë, e thellë, që anashkalon këndelljen, shpërfaq butësinë, lirizmin, ëmbëlsinë dhe brenda vetes tretej.. Vargu është i lirë, struktura sugjestive, fantazmagorike aspak e frikshme, shihet, dëgjohet dhe nuhatet, krijon fuqinë sikur tek Bodleri, nga liria deri tek ekstaza. Adhurimi i hiçit tek poezia ‘Aventura” është një guxim, mirëpo të qash për atë që kurrë nuk ka ekzistuar. Autorja, na vetëdijëson, rrumbullakon asgjënë si asgjë sikurse tek mbreti Lir: “Nga asgjëja del asgjë”, kjo sjell vetëm trishtim, meditim koti dhe humbje të thellë. Mbrapa syve të saj, fshihen ndjenjat më të sinqerta dhe ato filozofike. Ajo nuk dyshon në vetvete, ka temperament të zjarrtë dhe i dedikohet pasionit. Vetëpërmbajtjen nuk mund ta frenon, andaj i përqendrohet vargut.
Ndjenja dhe vetëdija kanë pjekuri dhe besueshmëri artistike. Si një alpinistë që i afrohet alpeve, ajo i afrohet shpirtit dhe poezisë. Fuqia gjuhësore dhe masat e argumentit ideor, janë të sigurta, estetike, që zotërojnë bazat e gjykimit. Bukuria e imagjinatës poetike na lumturon, por jo zotëruesin e saj – autoren, por adhuruesit e lirisë poetike të saj. E qarta, në rreshta, kthjelltësia magjike, shpërfaqin thellësinë. Fantazia e saj është pjellore, vargu shpërthen gjatë një momenti kulmor dhe regjistrohet pa korrigjim apo filtrim. P.sh “Ikja e kohës”: Nëse koha shkon, jam unë që e shtyj”.Koha ecën me ritmin e njëjtë, neve na duket që ecën më shpejt apo ngadalë. Metafora, zotësia apo kurora e kohës, është vetë autorja.
Imazhi ndërfutet në një hapësirë kozmike, unike, madje edhe antropologjike, që si bigëzime ka njeriun dhe hapësirën. Konfliktin dhe rrjedhojën, por gjithnjë mbretëria mbetet tek grimca njeri. Madje, tek poezia “Mendja e gruas”, e cila sipas saj, është si era, si dallga, por e burrit në rërë mbetet. Hekuri dhe magneti, ndryshueshmëria, vendosmëria, dashuria dhe humbja e vetvetes. Por, pa e dashur vetën, nuk mund ta duash askënd. Dashuria arrin vetëdijen dhe vendoset në rërë. “Parajsë a ferr”, një titull simbolik, mahnitës, ideologjik, mistik, që shpreh frymën e argumentit mitologjik dhe ngadalë njerëzor duke e mishëruar humbjen, mungesën, lotin, vuajtjen, frymën e fundit etj. As autorja nuk mund ta ndalon kohën, edhe pse tendenca për një gjë të tillë është e madhe. Arti dhe koha shërbejnë për nxjerrjen e vlerave, dhe shërimin e interesave të argumentuara shkencore që formojnë teknika bashkëkohore me ndikimin e zakoneve, sjelljeve te njerëzit.
Edhe pse rimti i kohës krahasuar me atë kur krijoheshin vepra të mëdha, tashmë është i ngadalësuar dhe i rrallë, por autorja frymon përjetësisht mbi shkencën dhe teknikën, edhe pse ngadalë të dyja mundohen të përpijnë shpirtin poetik kohor. Dikur shkruheshin poezi të mëdha të autorëve si Bodler, Lorka, Balzak, Prever, Pushkin etj. Kurse tash, përrallat më tërheqëse na i mësojnë shkenca dhe teknika, arsyeja e saktë, e guximshme e pamëshirshme. Shpirti fisnik, poetik, rrjedh drejt njohjes dhe shënon kohën, duke u izoluar intuitivisht mbi dobinë e traditës artistike. Dhe, si për fund, vargjet në librin ‘Paqe pa profet’, janë esencialisht tone urdhrash, që burojnë nga bashkimi dhe njësimi i idesë me ndjenjën. Mendimet i kap autorja pa rrëshqitje, dhe shpërndan rreze nëpër çdo rrugë qoftë edhe e pa ndriçuar.