E Diel, 1 Nëntor 2026

Gati platforma për çmimet, Musabelliu: Price Watch Albania rrit transparencën, do hetohet i gjithë zinxhiri i furnizimit

Duket se inflacioni është kthyer në problem për qeverinë, e cila ka vendosur të ndërhyjë në treg, jo duke vendosur çmime, por duke rritur transparencën nëpërmjet një portali të quajtur Price Watch Albania.

Duke filluar nga ky muaj, konsumatorët do të kenë mundësi të shohin çmimet e produkteve në këtë platformë unike online, e cila do të nisë fillimisht me produktet e shportës.

“Ne po ndërtojmë një platformë ku në mënyrë periodike do të shfaqen të gjitha çmimet e produkteve që tregtohen me destinacion konsumatorin”, tha Enkeled Musabelliu, zv. ministër i Ekonomisë.

Sipas zv. ministrit, publikimi i çmimeve, përveç transparencës, do të ketë edhe efekt nxitës tek konkurrenca sa i përket tendencës së shitësve të ndryshëm për çmimin final me të cilin e blen konsumatori.

“Për të parë se cili shitës e ka më lirë të njëjtin produkt. Nëse konsumatori ndryshon sjelljen e tij dhe fillon të përqaset tek shitësit që kanë produkte më të ulëta, patjetër që ky efekt transmetohet në ekonomi dhe kthehet në një presion për të ulur çmimet tek të gjithë shitësit e tjerë”, tha ai.

Musabelliu shton se, përveç monitorimit të thjeshtë të çmimeve, autoritetet do të hetojnë të gjithë zinxhirin e furnizimit për të identifikuar nëse ka abuzime me çmimet.

Gazetar: H. Mahmutaj

/rtsh.al/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›