E Diel, 1 Nëntor 2026

Jeta artistike e aktores Olimbi Shamblli, koleksionisti korçar sjell ekspozitën kushtuar nënës

Koleksionisti Mirgen Shamblli ka çelur në hollin e teatrit “Andon Zako Çajupi” në Korçë një ekspozitë fotografike me rastin e 75-vjetorit të artistes profesioniste Olimbi Shamblli.

Ai ka prezantuar jo vetëm fotografi, por edhe materiale të ndryshme nga jeta e saj artistike në vite, duke sjellë një nga koleksionet më të veçanta për shkak edhe të lidhjes familjare me aktoren, e cila është nëna e koleksionistit.

“Është gjithë karriera e saj artistike e pasqyruar. Ka vënë shumë drama në skenë dhe rolet e saj janë pafund. Ekspozita përmban rreth 300–400 materiale fotografike. Janë rreth 30 shfaqje të saj, si dhe qindra skeçe të pafund.” – tha Mirgen Shamblli, koleksionist.

E emocionuar, por edhe mjaft e lumtur për këtë kujtim të paharrueshëm, është shprehur aktorja Olimbi Shamblli.

“Ka dalë një gjë e bukur, duke filluar që nga tetëvjeçarja ku janë vendosur fotografitë në vazhdim. Kujtoj shokët që kam pasur në kurset e shkollës së lartë, kujtoj fëmijërinë dhe kohën e kaluar. Kujtoj edhe kolektivin këtu, me të cilin kemi kaluar shumë mirë bashkë, dhe emocionohem.” – tha aktorja Olimbi Shamblli.

Edhe dy nga mikeshat më të mira dhe koleget në Estradën e Korçës kanë shprehur vlerësimet për aktoren Olimbi Shamblli dhe ekspozitën. “Dy mikeshat e mia më të mira ishin Bardha Hoxha dhe Oli Shamblli. Oli Shamblli ishte një zonjë fisnike, e qetë, e mirë, e matur.” – Teuta Lavdari, aktore.

“Është gjëja më e bukur që djali i Oli Shambllit arrin dhe i bën mamit të tij një ekspozitë kaq të bukur, sepse janë vitet e Olit. Oli ka ardhur në Korçë, është vlonjate, dhe miqësia që ka nisur atëherë ka vazhduar deri sot. Edhe pse jemi plakur, kemi kaluar mbi 70 vite, nuk jemi ndarë.” – Fatbardha Hoxha, këngëtare.

Ekspozita është parë me interes edhe nga qytetarë të Korçës, miq dhe kolegë të aktores Olimbi Shamblli.

Gazetare. Kostanca Koçi

/rtsh.al/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›