Gati rikthimi

Pas zhgënjimit në Euro 2008, Italia është gati të kthejë në stolin e saj edhe njëherë trajnerin Marçelo Lipi, që fitoi titullin kampion bote përpara dy vitesh. Italia e Donadonit ishte një zhgënjim jo për sa i përket lojës, sesa zgjedhjeve që trajneri ka bërë, duke treguar edhe njëherë ndikimin e tij ndaj shtypit. Italia e filloi Evropianin me një skuadër dhe e përfundoi ndaj Spanjës me shumë ndryshime (edhe pse në ndeshjen e fundit e detyruar për shkak të mungesës së Pirlos e Gatuzos). Ndoshta Italia ka nevojë sërish për Marçelo Lipin, i cili në periudhën më delikate të futbollit italian (e kam fjalën për “Calciopolin”), arriti t’i bënte ballë një presioni shumë të madh mediatik, madje duke u përballur edhe me akuza të rënda. Në fund... arriti të triumfonte në Berlin. Alternativat dhe formacioni bazë kanë qenë suksesi i Lipit, i cili duket se do të rikthehet për të drejtuar sërish kampionët e botës. Bëhet fjalë vetëm për dhjetë ditë kohë, që presidenti i Federatës Italiane të Futbollit, Xhiankarlo Abete, u ka kërkuar të gjithëve për të zgjidhur kontratën me Roberto Donadonin, i cili me shumë mundësi mund të largohet me pishmanllëkun se nuk arriti të bënte asnjëherë zgjedhjet e veta, për shkak të ndikimeve.
Donadoni: Nuk e jap dorëheqjen
E ka cilësuar si një përfaqësim dinjitoz atë të lojtarëve të tij në Euro 2008 dhe i pyetur nga gazetarët nëse do të japë dorëheqjen si trajner i Italisë, Roberto Donadoni është përgjigjur: “As që nuk e kam çuar nëpër mend që të jap dorëheqjen, sepse nuk mund të largohem vetëm nga një ndeshje e fituar ose e humbur me penallti. Nëse do të arsyetoja kështu, do të isha vërtet një budalla”. Ndërsa për sa i përket rikthimit të Marçelo Lipit në kombëtaren italiane, ish-mesfushori është shprehur: “Ka rreth 15 ditë që flitet për këtë. Nuk kam lexuar aspak shtypin dhe e kam marrë vesh vetëm nëpërmjet jush (gazetarëve). Nëse Italia do të kualifikohej, do të ishim këtu për të folur për një skuadër të fortë dhe të bukur”, ka përfunduar Donadoni.