Gërdeci, e vërteta do të zbardhet

Ish-kryeministri Pandeli Majko flet në një intervistë për “Korrierin”, për të gjitha zhvillimet politike të ditës. Dy herë ish-kryeministri i vendit vlerëson qëndrimin e Presidentit të Republikës, Bamir Topit, si garant i Kushtetutës. Lidhur me zbardhjen e tragjedisë së Gërdecit, ish-ministri i Mbrojtjes mendon se, falë edhe kapaciteteve të drejtësisë amerikane, çështja do të shkojë deri në fund. “Dëshiroj të them, qoftë edhe nga eksperienca ime, që gjithmonë ambasadorët amerikanë kanë qenë në përkrahje të zhvillimeve të ligjshme në Shqipëri dhe që kanë ndihmuar sidomos stabilitetin e brendshëm. E them këtë, duke qenë i bindur që edhe ambasadori Uidhërs ka ndjekur pikërisht këtë linjë”, - thotë Majko lidhur me çështjen “Uidhërs”. Ndërkaq, lidhur me përplasjen politike brenda së majtës, ai mendon se në 2009-ën të majtët do të jenë të bashkuar. “Mendoj se bashkëpunimi është i pashmangshëm, qoftë LSI-ja me PS-në, qoftë me PDS-në dhe sigurisht me aleatin më të vjetër dhe më besnik të së majtës që ka PS-ja, që është PSD-ja”, - thotë ai. Për ish-kryeministrin Majko, e majta do të shpallet fituese në zgjedhjet e ardhshme.
Bisedoi: Ilir Saqellari
-Si e shihni qëndrimin e Presidentit të Republikës, Bamir Topit, në përplasjen me mazhorancën dhe a besoni se ai do të qëndrojë deri në fund i palëkundur, për të mos iu bindur kryeministrit Sali Berisha?
Pandeli Majko: “Unë nuk do t’i karakterizoja kështu marrëdhëniet një e një presidenti me një kryeministër. Mendoj se kjo është më tepër një histori politike, sesa një histori e një marrëdhënieje ndërinstitucionale. Jam duke përsëritur të tjerët, të cilët e kanë thënë qartazi se bëhet fjalë për kontrollin politik të Gjykatës së Lartë në këtë proces të “fërkimit” midis z. Berisha dhe z. Topi. Mendoj që pozicionimi i presidentit ka qenë korrekt. Në përgjithësi, dëshiroj të them se ai, që me hyrjen në zyrën e Presidentit të Republikës, pavarësisht parashikimeve të ndryshme, ka mbajtur një qëndrim të balancuar. Këtë nuk e them duke pasur parasysh që ai është bërë “i balancuar”, pasi është “fërkuar” me kryeministrin Berisha dhe interesat e tij politike, por mendoj që e tillë ka qenë situata. Se sa do të vazhdojë kjo, nuk mendoj se është një çështje rezistence. Çështja është e thjeshtë dhe e qartë: Sa do të respektohen procedurat, qoftë nga Presidenti i Republikës, qoftë nga Parlamenti Shqiptar”? Ka një moment njerëzor, i cili deri diku e komplikon situatën, pasi bëhet fjalë që treshja drejtuese e shtetit, në të njëjtën kohë ka qenë ose është dhe treshja ekzekutive drejtuese e PD-së. Kështu që në këto probleme të kërkimit edhe procedural, duhet të shikohet edhe një histori njerëzore, e cila ka qenë zhvilluar me zë edhe pa zë brenda PD-së, dhe tani po zhvillohet edhe në kuadrin e zhvillimeve institucionale. Megjithatë, dëshiroj të them që duhet parë ajo që duket pozitive tek ky “fërkim” midis presidentit dhe dy institucioneve, Parlamentit e Kryeministrisë. Duhet parë pikërisht ana pozitive në sensin, që presidenti në përgjithësi po përpiqet të respektojë dispozitat kushtetuese dhe në këtë këndvështrim, mendoj që qëndrimi i opozitës ka qenë i qartë. Më shumë se sa për të mbajtur krahun e këtij apo atij, ka qenë pikërisht për t’u orientuar në krah të procedurave dhe jo të individëve të veçantë”.
-A e shikoni si të ngadaltë ecurinë e procesit hetimor për çështjen e Gërdecit dhe a besoni se ka njëanshmëri për të mos cenuar edhe rolin e kryeministrit në këtë tragjedi?
“Ka një tendencë politike për t’i përfshirë të gjithë institucionet, përfshirë edhe Presidentin e Republikës, të cilin unë e identifikova edhe në raportin që u dha nga Komisioni i Mandateve, në rastin kur iu hoq imuniteti deputetit Mediu. Megjithatë, mendoj se ky është një proces që nuk mund të diskutohet me javë. Mendoj se do të vazhdojë gjatë dhe, ajo që është e rëndësishme, është se këtu nuk janë pjesëmarrës vetëm kapacitetet e drejtësisë shqiptare, por, për fat të mirë, janë dhe kanë filluar të shfaqen qartazi edhe kapacitete të drejtësisë amerikane. Në këtë pikëvështrim, mendoj se ia vlen të jemi të qetë në çështjen e vajtjes deri në fund të një procesi, i cili, gjithsesi, e ka vënë në pozitë të vështirë jetën e brendshme politike në Shqipëri. Do të jetë një proces, i cili duket qartazi që me Gërdecin, që është çarë një flluskë qelbi, por që shpresoj të pastrohet deri në fund”.
-Po për çështjen tjetër, atë të trafikut të armëve, që le të themi se sot është lakuar edhe emri i ambasadorit amerikan Uidhërs...
“Nuk besoj që ia vlen në këtë moment të diskutosh në një mënyrë, që në fakt ka të bëjë me përfaqësuesin e vendit më të rëndësishëm për marrëdhëniet strategjike të Shqipërisë, siç është ambasada e SHBA-ve. Ajo që dëshiroj të nënvizoj, është se të paktën nga ajo që kam vënë re unë dhe jo vetëm unë, ambasadori Uidhërs ka pasur një qëndrim mëse korrekt në trajtimin e çështjes së Gërdecit, qysh nga momenti i parë që ka ndodhur tragjedia. Tani, për të bërë hamendësime, në shoqërinë shqiptare ka goxha të tilla, madje me bollëk, por ajo që dëshiroj të them, qoftë edhe nga eksperienca ime, është që gjithmonë ambasadorët amerikanë kanë qenë në përkrahje të zhvillimeve të ligjshme në Shqipëri dhe që kanë ndihmuar sidomos stabilitetin e brendshëm. E them këtë, duke qenë i bindur që edhe ambasadori Uidhërs ka ndjekur pikërisht këtë linjë”.
-Ndërkohë, po për këtë çështje nga aktorë të ndryshëm është kërkuar që të thirret në prokurori edhe i biri i kryeministrit. A duhet të ndodhë kjo?
“Dosja e Gërdecit është një dosje së cilës fletët po ia hap një pjesë e medias. Është ende herët që të flitet se çdo të ndodhë me prokurorinë. Është një histori të cilën unë vetë nuk mund ta parashikoj, por gjithsesi, elementet proceduralë të një vepre penale si ajo e Gërdecit, është shumë e vështirë t’i bllokosh”.
-Që pas propozimit të ndryshimeve kushtetuese, LSI-ja u distancua nga aleanca me PS-në dhe përplasja e akuzat ndaj lidershipit të PS-së kanë qenë të përhershme gjatë kësaj periudhe. A mendoni se ka vend për të gjetur rrugët e bashkëpunimit deri në zgjedhjet e vitit 2009?
“Kam qenë dhe jam i bindur që do të gjendet rruga e bashkëpunimit brenda së majtës, ashtu siç jam i bindur që është e kotë të diskutohet sot, që për hir të unitetit, partitë e së majtës duhet të sakrifikojnë individualitetin e tyre në politikë. Gjithsesi, duhet pranuar që ka një lloj çekuilibrimi në marrëdhëniet deri diku edhe njerëzore brenda së majtës, për arsye nga më të ndryshmet. Kjo është një kosto që po e përjetojmë gjithsecili sipas mënyrës së vet. Kam parasysh PS-ja sipas mënyrës së vet, LSI-ja sipas mënyrës së vet etj. Në këtë këndvështrim, mendoj se momenti taktik, në çdo rast do të mbetet një moment taktik dhe ai strategjik do të jetë diçka tjetër. Prandaj, për të kapërcyer të gjithë fenomenin që po ndodh aktualisht në jetën politike të së majtës, mendoj se bashkëpunimi është i pashmangshëm, qoftë LSI-ja me PS-në, qoftë me PDS-në dhe sigurisht me aleatin më të vjetër dhe më besnik të së majtës që ka PS-ja, që është PSD-ja”.
-Pra, mendoni se nuk do të përsëritet ajo që ndodhi në 2005-ën?
“Është shumë e vështirë të ngresh një logjikë të kundër, kur kemi parasysh çfarë ndodhi në 2005-ën”.
-Ka pasur një deklaratë së fundi nga një drejtues i LSI-së, se kjo forcë politike nuk do të votojë për kryeministër një socialist që ka bashkëpunuar me Berishën, duke tradhtuar të majtën. Një koment, duke shtuar faktin se i tillë, mbi të gjithë, gjatë kësaj periudhe nga LSI-ja është konsideruar kryetari i PS-së, Edi Rama...
“Këto historitë me tradhti kanë qenë pjesë e përplasjeve apo e “fërkimeve” të brendshme brenda së majtës, por mendoj se matanë debateve të ashpra në çdo rast, unë shikoj atë që, në fund të fundit, ka të bëjë me interesat e të gjithë atyre njerëzve që e votojnë të majtën. E kur them të majtën, s’kam parasysh këtu vetëm PS-në. Të ndryshojë këtë “status quo”, e cila ekziston jo thjesht politikisht në Shqipëri, por edhe më gjerë, për të ndryshuar vakuumin që ekziston aktualisht në Shqipëri. Pra, përfundimisht për të mos e vrarë shpresën në esencën e saj. Sepse në çdo rast brenda kafazit të kraharorit të opozitës gufon gjithmonë ajo që mbetet e fundit për njerëzit. Është shpresa për një të ardhme më të mirë. Në këtë pikëpamje, mendoj se bashkëpunimi mbetet i pashmangshëm për faktorët e së majtës. Nuk është një lutje, por në thelb është një alternativë së cilës nuk mund t’i shmangemi, në të kundërt një përsëritje e historisë së 2005-ës rezultatin e ka të qartë”.
-Nëse do të ndodhte e kundërta, pra të ishte LSI-ja që të kërkonte me domosdoshmëri kryeministrin, sepse në të kundërt s’do të jepte votat për krijimin e qeverisë?
“Refuzoj t’i futem një diskutimi të një natyre të tillë, se kush do të jetë kryeministri, kur për të tilla situata ne kemi një eksperiencë të qartë nga Perëndimi. Mendoj se diskutimi i një natyre të tillë jo thjesht që ul një standard të brendshëm të diskutimit brenda së majtës, por nuk krijon asnjë lloj perceptimi pozitiv tek njerëzit, të cilët tek opozita shohin shpresën për ndryshim”.
-Keni qenë i angazhuar në “Dialogun me Shqipërinë”. Si e ka pritur elektorati i majtë politikën e re të PS-së?
“Përgjithësisht, mendoj se fryma është shumë pozitive. Sidomos kjo ka pasur një ndikim veçanërisht pozitiv në zonat e fshatit, apo le ta quajmë kështu, në zonat ku përgjithësisht politika kujtohet vetëm në raste fushatash. Gjithsesi, është e qartë që opozita në kushtet aktuale nuk mund të ofrojë zgjidhje, por për njerëzit, vajtja në të tilla kushte apo thjesht qarja e hallit është ndoshta ndonjëherë më e rëndësishme sesa vajtja me banderola, me programe, me alternativa etj., siç jemi mësuar të ndodhë në marrëdhënie fushatash. Mendoj se në marrëdhëniet me njerëzit, më shumë ka për t’u fiksuar pikërisht ky moment, që nuk ka të bëjë me fushatat elektorale. Ky moment, i cili në thelb ka të bëjë me ndërtimin e një marrëdhënieje të re njerëzore, që politika po përpiqet të organizojë në ato takime ku unë kam qenë, impakti dhe marrëdhënia ka qenë jashtëzakonisht e veçantë”.
-Nisur nga kjo që thatë, si e parashikoni rezultatin e zgjedhjeve të 2009-ës për partinë më të madhe sot në opozitë?
“Nuk dua të bëj optimistin e tepruar, por jam i bindur që, nëse do të vazhdojmë me këtë ritëm, mendoj që 2009-ta do të ruajë një fitore të plotë për të majtën. Nëse do të arrijmë të rigjenerojmë edhe disa marrëdhënie ende të plasaritura brenda së majtës, padyshim që 2009-ta do të ofrojë jo thjesht pushtetin për të majtët, por ndryshimin e një “status quoje”, e cila nuk ofron më dhe ndonjë gjë të re për votuesit e së djathtës. Me situatën e rënduar që shikohet në qeverisje, duket që Shqipëria është mbërthyer në vend nga një histori i ripërsëritur, e cila nuk po kuron asgjë përveç fjalëve në sytë e njerëzve. Në këtë moment, më shumë sesa diskutimi i ardhjes në pushtet, në gjirin e PS-së po diskutohet pikërisht momenti i dytë, pra çdo të bëhet me pushtetin që do të merret. Mendoj që diskutimi që tani i këtij elementi e ka sjellë më të natyrshëm debatin me njerëzit. Kam parasysh edhe një përvojë, kur PS-ja dhe aleatët e saj erdhën në 1997-ën. Nuk mund ta them me gojën plot se ne ishim të përgatitur edhe për arsye të justifikueshme, në mënyrën më të plotë për të qeverisur vendin. Kjo solli një humbje kohe, e cila solli problemet e veta në vazhdim. Ndryshimet kushtetuese dhe vendosja e balancave të reja, mendoj se do të krijojnë elemente pozitiviteti për të pasur një pushtet të konsoliduar”.
-Kemi marrë ftesën në NATO, por si e shikoni rolin e shtetit këtu, por edhe për integrimin në BE?
“Kemi marrë ftesën për NATO-n dhe mendoj se për momentin në Shqipëri qeverisja po prodhon mitingje me këtë tezë dhe, për fat të keq, edhe për arsye të ngjarjeve që ndodhën me Gërdecin e histori të tjera, humb pikërisht ai lloj pozitiviteti që do ta kishte zili çdo lloj qeverisjeje në Shqipëri. Pikërisht ky moment pozitiviteti u humb me histori mitingjesh dhe debatesh pa vlerë, në një kohë që pritej që të konsumohej një bashkëpunim i mirëfilltë për reformat e natyrave të ndryshme, të cilat mund të bëheshin në një periudhë shumë të shkurtër kohe. Për fat të keq, drejtohemi nga një qeveri, që nuk ka zëvendëskryeministër, nga një mazhorancë që, përveç heshtjes publike, po prodhon kriza nga më të ndryshmet brenda saj, me sektorë të caktuar të ekonomisë, që realisht janë pothuajse të bllokuar, dhe në këtë pikëpamje mendoj se e djathta ndodhet në fundin e një misioni, që në asnjë rast nuk mund të quhet i plotësuar”.
-Një koment të fundit për situatën në Kosovë...
“Kosova po ecnin me një ritëm, i cili mendoj se në shumë këndvështrime është i ndryshëm nga ai që ndodh në Shqipëri. Kosova, për arsye të ndryshme, ndodhet dhe në një observim dhe ndihmë ndërkombëtare. Sfida më e madhe tanimë atje ka të bëjë me formimin e lidhjeve ndërkombëtare për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Por ndryshe nga Shqipëria, Kosova ka armiq, ose le ta quajmë kështu, kundërshtarë publikë shumë më të ashpër sesa Shqipëria. Megjithatë, ky do të jetë një moment kalimtar. Unë jam shumë herë më tepër optimist lidhur me atë impakt pozitiv, që tanimë Kosova do të prodhojë në drejtim të Shqipërisë. Forcimi i marrëdhënieve midis Tiranës dhe Prishtinës përbën, mendoj, bazën dhe themelin e një faktorizimi të plotë, e atij që do të quhet faktori shqiptar, e që nuk do të prodhojë vetëm fjalë dhe tavolina të rrumbullakëta, por shumë shpejt do të prodhojë ekonomi dhe faktorë ekonomikë në rajon”. saqellari@korrieri.com
Të ikë Berisha!
Lëvizja Socialiste për Integrim e sheh si shpresën e vetme për ecurinë pozitive të vendit largimin e kryeministrit Sali Berisha. Kreu i LSI-së, Ilir Meta, deklaroi dje, se ky duhet të jetë objektivi i vetëm i opozitës shqiptare. “Dorëheqja e menjëhershme e Sali Berishës duhet të jetë objektivi i vetëm politik i të gjithë opozitës sot, sepse nuk mund të bëhen reforma me simbolin e shkatërrimit dhe të antishtetit. Cilido që vepron ndryshe, jo vetëm që kërkon të mashtrojë shqiptarët, por sigurisht që do të provojë që është i kapur nga Berisha”, - tha ish-kryeministri Meta. Kreu i LSI-së vlerësoi vendosmërinë e Kongresit të SHBA-ve për t’i shkuar deri në fund hetimit të aferës kriminale që lidhet, siç tha ai, edhe me Gërdecin. Sipas Metës, të gjithë faktet e kësaj afere të çojnë tek kryeministri Berisha e për këtë arsye sheh si të vetmen zgjidhje largimin e tij nga posti aktual i kreut të ekzekutivit. Për kreun e LSI-së, nuk mund të ketë shtet të së drejtës, pa u sqaruar e pa dalë përgjegjësia e plotë për çështjen e Gërdecit.
Berisha, i implikuar në trafikun e armëve
Partia Socialiste i ka nisur një letër denoncuese Komitetit të Sanksioneve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, “Amnesty International” etj., për përfshirjen e kryeministrit Sali Berisha në tregtinë e armëve. Nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së, Erion Brace, referuar deklaratave të kryeministrit, që sipas tij është shprehur se trafikun e armëve e ka bërë me vetëdije të plotë, sqaroi përmbajtjen e letrës. “Një letër denoncuese Komitetit të Sanksioneve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, “Amnesty International”, Rrjetit të Aksionit Ndërkombëtar për Armët e Vogla (IANSA), OXFAM, ku faktohet në mënyrë të qartë implikimi i Sali Berishës dhe qeverive të drejtuara prej tij në trafikimin e armëve në zona të nxehta konflikti, në disa raste të pohuara edhe nga vetë Sali Berisha”, - deklaroi Braçe. Ai e cilësoi si prioritar denoncimin e këtyre veprimeve që, siç thotë Braçe, bien ndesh me detyrimet e vendit tonë që burojnë nga traktatet e marrëveshjet kombëtare e ndërkombëtare. Nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së shprehu distancimin e kësaj force politike nga veprimet e shtetarëve të korruptuar, siç i cilësoi ai, në krye të të cilëve është kryeministri Berisha.