Gaza drejt katastrofës humanitare, Gjermania, SHBA dhe Jordania dërgojnë nga ajri ndihma me ushqime

Gjermania, Shtetet e Bashkuara dhe Jordania kanë dërguar ndihma humanitare në Gaza. Sipas Forcave Ajrore Gjermane janë dërguar katër tonë ndihma në Gazën veriore duke shtuar se operacioni filloi pasi ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë Boris Pistorius dha aprovimin për një gjë të tillë.
Më herët këtë mëngjes, ushtria amerikane dhe Forcat Ajrore Mbretërore Jordaneze gjithashtu punuan së bashku duke hedhur ndihma në Gazën veriore “për të ofruar ndihmë për civilët në Gaza të prekur nga konflikti”, tha Komanda Qendrore e SHBA.
Ndihma përfshinte pako me oriz, miell, qumësht, makarona dhe ushqim të konservuar.
“Këto fluturime janë pjesë e një përpjekjeje të qëndrueshme dhe ne vazhdojmë të planifikojmë dërgesat ajrore pasuese”, thuhet në deklaratë.
Këto ndihma vijnë pasi 200 tonë ushqime të sjella në Gaza nga Qipro me anije po përgatiten të shpërndahen në Gaza.
Me palestinezët në Gaza në nevojë të madhe, çdo ndihmë është e mirëpritur, por grupet e ndihmave thonë se ndihma nga deti dhe ajri duhet të jenë plotësuese e dërgesave tokësore, jo zëvendësim i tyre.
Agjencitë dhe zyrtarët kanë paralajmëruar në mënyrë të përsëritur se asnjë metodë e ndihmës humanitare nuk mund të jetë aq efektive sa dërgimi në rrugë tokësore, transmeton CNN.
Kritikët i kanë kërkuar SHBA-së që t’i bëjë presion aleatit të saj Izraelit që të lirojë rrethimin e enklavës, me Gazën që ndodhet në prag të urisë.
/rtsh.al/