E Diel, 1 Nëntor 2026

Gazeta “Makedonia” paralajmëron nismë të re për emrin

Kombet e Bashkuara do të promovojnë nismë të re për të zgjidhur kontestin e emrit të Maqedonisë.

Kjo bëhet e ditur nga gazeta greke “Makedonia” në Selanik, vetëm disa ditë para vizitës së paralajmëruar të ndërmjetësit të OKB-së për emrin, diplomatit amerikan Metju Nimiç, por edhe vizitës së sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon në rajon dhe më në fund në Maqedoni.

Sipas gazetës, Qeveria greke është e vetëdijshme se do të përballet me presione të reja gjatë muajve të ardhshëm për të zgjidhur kontestin e emrit, me qëllim të zhbllokimit të situatës dhe procesit të anëtarësimit të Shkupit në BE dhe NATO.

Gazeta duke cituar në burime diplomatike nënvizon se Gjermania dhe Austria e shohin si pozitive pranimin e Maqedonisë në BE nga aspekti gjeostrategjik, ndërsa në anën tjetër theksohet se Turqia po punon maksimalisht për pranimin e Maqedonisë në NATO.

Gazeta e Selanikut pasqyron edhe situatën politike, duke shtuar se po zvogëlohet diferenca midis partisë në pushtet VMRO-DPMNE dhe partive opozitare dhe se për herë të parë po bashkohen partitë opozitare në Maqedoni, duke krijuar kushte të reja të veprimit politik.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›