E Hënë, 2 Nëntor 2026

Gazetarë e shoqëri civile kundër draftit të Kodit të Ri Penal, Rama: Uluni me ekspertët, pa vulën e Brukselit nuk e çojmë në Parlament

Gazetarë dhe organizata të shoqërisë civile kanë shprehur shqetësimin e tyre për ndryshimet e propozuara në Projektkodin e Ri Penal të Shqipërisë, të cilat, sipas tyre, përbëjnë një rrezik serioz për lirinë e medies dhe të shprehjes.

Isa Myzyraj, kreu i Asociacionit të Gazetarëve të Shqipërisë theksoi si problematike nenet 865 dhe 863, që lidhen me shpifjen dhe fyerjen, si dhe nenin e ri 536, që ndalon komentet mbi proceset gjyqësore.

“Kjo situatë i ekspozon qytetarët ndaj përndjekjeve penale dhe kur kanë qenë me mirëbesim, duke rritur pasigurinë juridike dhe frikën e raportimit kritik. Shqetësues është neni 536, ‘Ndikimi në pavarësinë e Gjykatës’, i cili ndalon në mënyrë të gjerë, bërjen dhe të komenteve mbi proceset ligjore”, tha Myzyraj.  

Organizatat kërkojnë që ndryshimet në Kodin Penal të përputhen me standardet e Bashkimit Europian dhe të Këshillit të Europës, dhe të mos përdoren si mjet për të frikësuar apo heshtur zërat kritikë.

Në emër të Qendrës për Shkencë dhe Inovacion në Shoqëri, Blerjana Bino theksoi se mbrojtja e gazetarëve, aktivistëve dhe sinjalizuesve është thelbësore për funksionimin e demokracisë.

“Ato duhet të përshtaten plotësisht me standardet e BE-së, të Komisonit të Europës dhe praktikat më të mira europiane. Së dyti duhet të sigurohet qartësi dhe specifikim në çdo formulim të dispozitave penale, duke shmangur paqartësi me abuzimin selektiv në zbatimin e tyre, duke cenuar kështu jo vetëm gazetarët, por edhe aktivistët, shoqërinë civile, rojtarë publik dhe sinjalizuesit”, tha Bino.

Në fund të takimit u kërkua rishikimi i këtyre neneve përpara se ata të kalojnë në Parlament, që i konsiderojnë si kërcënuese për lirinë e shprehjes dhe penalizuese për gazetarët dhe qytetarët aktivë.

Kryeministri Edi Rama reagoi pas këtyre deklaratave, duke thënë se kushdo që dëshiron të japë kontributin për një Kod të ri i ka rrugët e hapura, ndërsa theksoi se Ministria e Drejtësisë ende nuk e ka konsultuar Projektkodin me Komisionin Europian.

Kreu i qeverisë theksoi se pa vulën e Brukselit, drafti nuk shkon në Parlament.

“Shoh që disa shoqata gazetarësh na kanë bërë një thirrje urdhëruese për të ndërhyrë urgjentisht në draftin e Kodit të Ri Penal, çka tregon se ata që duhet të informojnë publikun për procesin e saponisur të diskutimit të këtij drafti nuk e kanë kuptuar akoma (edhe pse u tha shumë qartë nga ministri i drejtësisë) se Ministria e Drejtësisë dhe Këshilli i Ministrave, nuk kanë marrë pjesë në hartimin e draftit po ia kanë besuar një grupi ekspertësh të nderuar, nën udhëheqjen e Drejtorit të Shkollës së Magjistraturës, Profesor Arben Rakipit.

Ky është një proces demokratik dhe transparent, ku kush do të kontribuojë për një Kod të Ri Penal për Shqipërinë 2030 në BE i ka rrugët e hapura e të gjithë kohën e nevojshme, ndërsa kush do të bëjë zhurmën e vet mund ta bëjë, se demokracia i ka edhe zhurmuesit e vet, po s’mund të thotë dot që s’na pyeti kush”, shkroi Rama në rrjetin social “X”.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›