E Diel, 1 Nëntor 2026

“Gazetarët e vegjël” të Korçës, fëmijët e kampit “Horizont Center” zbulojnë nga afër televizionin

Ambjentet e RTSH Korçës mirëpritën këtë të mërkurë fëmijët e kampit ditor “Horizont Center”, të cilët zhvilluan një vizitë edukative për t’u njohur me funksionimin e televizionit publik rajonal.

Vogëlushët u mirëpritën nga stafi drejtues i RTSH Korçës dhe gjatë vizitës, u njohën me procesin e përgatitjes dhe transmetimit të lajmeve, studiot televizive, regjisë dhe hapësirat e tjera ku realizohen emisionet e ndryshme.

Ata mësuan më shumë edhe për programacionin e larmishëm që ofron RTSH Korça, duke përfshirë emisione informative, kulturore, dokumentarë, filma dhe programe të dedikuara për fëmijët dhe të rinjtë. Fëmijët u shprehën të emocionuar nga kjo përvojë, ndërkohë që për pak çaste, u bënë “gazetarët e vegjël” të televizionit.

Vizita të tilla zhvillohen periodikisht në RTSH Korça, duke i afruar nxënësit me botën e medias dhe duke i njohur ata me rolin që ka televizioni publik në informimin dhe edukimin e qytetarëve.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›