E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gazetarët me pikëpamje të ndryshme për lirinë e shtypit

Edhe në Kosovë sot shënohet Dita Botërore e Lirisë së Shtypit. Ndërkohë, organizata Freedom House edhe këtë vit Kosova e ka radhitur në kategorinë e vendeve me media pjesërisht të lira. Sipas raportit të kësaj organizate, Kosova renditet e 102-ta, duke shënuar kështu katër hapa mbrapa në krahasim me vitin e kaluar, sa i përket lirisë së shtypit.

Gazetarët në Prishtinë, kanë pikëpamje të ndryshme sa i përket lirisë së shtypit në vend. Gazetari, Ilir Krasniqi, konsideron se lirinë e mediave e përcaktojnë vetë shtëpitë mediale duke marrë parasysh politikat redaktoriale që ato aplikojnë.

“Sot për sot nuk mund të themi se nuk ka liri të mediave, por atë liri të mediave zakonisht e përcaktojnë shtëpitë mediale të cilat aktualisht ekzistojnë në Kosovë. Për fat të keq disa edhe nuk e respektojnë atë liri aq sa duhet respektuar”, tha ai.

Por, ndryshe mendon gazetari Zijadin Gashi. Ai thotë se media në Kosovë është e ndërvarur nga politika dhe grupet e caktuara të interesit.

“Në Kosovën e pavarur ka ndodhur një fenomen i ndërlidhjes së ngushtë mes biznesit dhe politikës. Të dyja këto kanë ndikim të madh te mediat në Kosovë dhe mund të them se biznesi dhe politika janë ato që mbajnë monopol mbi jetën e qytetarëve të Kosovës dhe praktikisht edhe mbi median në Kosovë”, theksoi ai.

Kryetarja e Asociacionit të Gazetarëve Profesionit të Kosovës, Liridona Lluka, i tha Radio Kosovës se vetëm gjatë këtij viti, AGPK ka reaguar në 24 raste kur punonjësit e mediave janë penguar për ta kryer punën e tyre.

“Nisur nga fakti i sulmeve të fundit që kanë ndodhur në këto tri javët që po i lëmë pas, ndaj punonjësve të mediave, duke përfshirë kameramanë, gazetarë, fotoreporterë apo edhe kryeredaktorë, mundë të konstatojmë se puna e gazetarëve në Kosovë është shumë e rrezikshme. Vetëm gjatë këtij viti, AGPK ka reaguar për 24 raste kur gazetarët dhe punonjësit e tjerë të mediave janë penguar në kryerjen e punëve të tyre”, theksoi ajo.

Një situatë jo të mirë të lirisë së shtypit e nxjerr në pah edhe raporti i fundit i organizatës Freedom House. Raporti, Kosovën e nxjerrë në renditjen e 102-të të vendeve, duke shënuar rënie në krahasim me vitin e kaluar e cila mbante vendin e 98-të.

Freedom House ka vlerësuar se vitin e kaluar për shtypin dhe median në Kosovë ka pasur zhvillime shqetësuese. Përveç kërcënimeve të herëpashershme ndaj gazetarëve, këtu përmendet edhe miratimi nga ana e Parlamentit e amendamentit në kodin penal që rikthen ndjekjen penale për shpifje. Ky hap nga organizata quhet një lëvizje në drejtim të gabuar dhe kufizon lirinë e shtypit dhe të shprehjes./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›