E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gap: Mustafa harxhoi mbi 18 mijë euro naftë

Udhëheq me Komunën e Gjilanit, por kryetari Qemail Mustafa me banim të përhershëm ndodhet në Prishtinë. Kjo sipas Instituti për Studime të Avancuara “Gap” bie ndesh me Statutin e Komunës dhe Ligjin për Vetëqeverisje Lokale. Pos kësaj sipas GAP banimi në një komunë tjetër ka krijuar edhe shpenzime shtesë në karburante, ngase përshkrimi i rrugës Prishtinë-Gjilan dhe anasjelltas bëhet me veturën zyrtare të Komunës.

Në një hulumtim të publikuar nga GAP “Letërnjoftimi i Komunës së Gjilanit 2013”, del se “Për tri vite, 2010 -2012 vetëm vetura e kryetarit të Komunës ka shpenzuar 15.186,6 litra karburante, apo shprehur në vlerë monetare, janë shpenzuar 18.527 Euro”. 

Kurse, sipas hulumtimit e tërë Komuna e Gjilanit për tri vite ka shpenzuar 434.964 euro për karburante për vetura.

Shpenzime të mëdha GAP ka vërejtur edhe në kategorinë e drekave zyrtare (296.277 euro për tri vite), udhëtime dhe mëditje jashtë vendit (144.335 euro për tri vite). Sipas Institutit, Gjilani ka përmbyllur vitin 2012, duke u kategorizuar si komuna me shkallën më të lartë të borxhit publik, me rënien e nivelit të të hyrave komunale dhe me rritjen e shpenzimeve në kategoritë e mallrave dhe shërbimeve.

Vetura zyrtare e Kryetarit të Komunës Mustafa është prodhim i vitit 2010 i markës Mitsubishi Pajero. Sipas të dhënave të siguruara nga Instituti GAP, për tri vite (2010- 2012) vetura zyrtare e Kryetarit të Komunës ka shpenzuar 15.186,6 litra, apo sipas viteve: 4.584,08 litra janë shpenzuar më 2010, 5.202,56 më 2011 dhe 5.399,96 më 2012. Shprehur në vlerë monetare, vetura e Kryetarit të Komunës ka shpenzuar rreth 18.527 euro karburante, apo 4.2% të totalit të shpenzimeve për karburante për tri vite që i ka bërë Komuna e Gjilanit. Komuna e Gjilanit ka gjithsej 35 automjete zyrtare në
përdorim.

Mustafa gjatë qeverisjes së Komunës ka harxhuar treqind mijë euro për tri vjet në dreka e darka zyrtare. Ai, sipas Gap ka punësuar edhe familjarë në komunë.

Ndryshe, Instituti GAP ka publikuar “Letërnjoftimi i Komunës së Gjilanit 2013”. Ky raport vlerëson ecurinë e përgjithshme të qeverisjes lokale në këtë komunë e udhëhequr nga Kryetari Qemajl Mustafa. Raporti fokusohet në periudhën e pas zgjedhjeve të fundit lokale, përkatësisht zhvillimet nga fillimi i vitit 2010 deri në përfundim të vitit 2012. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›