Gazetarët që vunë në gjumë regjimin dhe zgjuan popullin!
Vapa e Mesdheut të dembelos pa e kuptuar dhe e përzierë me rehatllëkun e racës tonë ose të dremit të tërin ose në të kundërt të shtyn të bësh hesape për të tjerët. Fushata elektorale mbaroi-mendoja këto ditë, pse mos e bëj dhe unë inventarin e saj?
Ca i yshtur nga graviteti epirot e ca i magnetizuar nga profesioni si gazetar nuk përtova të harxhoj kohë për veten dhe për të tretët. Dhe lukunia e gazetarëve, opinionistëve, kolumnistëve, shërbëtorëve, idealistëve, të paguarve dhe kompetentëve parakaloi në mendjen time edhe me ngjyra edhe bardh e zi. Sot nuk po përtoj për atë racë gebelsianësh të shkruaj e të kuvendoj me ju dhe duke marrë përgjegjësi në vetën e parë numri njëjës, të flas hapur siç i ka hije një përmetari që flet pa lustra.
Miliona minuta e orë, qindra mijëra artikuj dhe programe televizive, miliona lekë të reja dhe euro të vjetra, favore dhe qoka pa fund, maskarallëk dhe shitje bythe pa limit filluan qysh në post 21 janarin e 2011-ës e u tretën si gojë të mekura të hënën e fundit të qershorit 2013. Ne këtej dhe ata andej u vumë në llogoret e betejës të qëllonim me topa e batare si të pabarabartë. Këtej nga ne kërcënimet vërshonin si përmbytjet e Shkodrës, andej matanë paraja lumë si Lana pas shiut por e ndotur. Këtej prisheshin biznese, digjeshin makina, dhunoheshin eksponentë andej matanë gardistët i ruanin dhe i rruanin gebelsianët e pushtetit. Programoheshin debate artificiale, atakime të pështira, kërkohej me ngulm lavazh kolektiv truri dhe gjindja, audienca pra çoç shtirej sikur i besonte.
Fillonte Çlirim Peka ufëzonte çdo muzg, Fevzoja opinionoste dhe katranoste çdo ekuilibër çdo natë, Arturi i zhejeve gradonte 360 edhe hapësirat e cunguara të opozitarizmit, Artani, hoxha i pushtetit, nuk linte minare pushteti pa syfosur dhe kështu mbyllej java e ndotur me Çanin e zonës së (m)(q)(l)irë. Paraditeve u punua në rreth 10 mijë kilometra rrugë duke prerë rreth 21 mijë kilometra shirita e pasdite ekranet e televizioneve nxinin nga kërcënime burrash e grash me varje palmash të kundërshtarëve të dobët. Shish-i survejonte, policia ndiqte e kërcënonte, ushtria përgjonte, tatimet mbysnin, spitalet të mbyllnin dyert, arsimi analfabetizonte militantizmin, parlamentarizmi jozefinoste fjalën e lirë ndërsa vota sashenkëzohej dhe ristanohej pa pikë turpi, pa pikë respekti për Kushtetutë dhe integrim.
Prokuroria, gjykatat, entet publike, presidenca hanin çdo ditë çorbën e prishur të oborrit dhe do nisin të vjellin pas shtatorit mes një kaosi që mjerë kush do e sistemojë. Tek tuk mediumet e mbytura opozitare përpiqeshin mes pengesave titane të ndiznin dritën e kuqe të alarmit por regjimi të merrte në shenjë e të snajperizonte porsi gazetarin Fatos Mahmutaj. Brukseli liberalizoi vizat por shkelte një sy sa herë qeveria e këtushme mbyste çdo sakrificë lirie dhe informimi. Dukej shpesh sikur po na harronin dhe ne raca arjane rronim vetëm për pak ajër e për pak përshesh. Kishte filluar tjetërsimi i çdo shqise dhe rikuperimi i një indiference mbarëpopullore të trembte. Nën zë diskutohej se enverizmi po përsëritej kësaj here i llangosur në blu e porsi kubanezët e viteve 60 kishe dy alternativa: bëj pakt me regjimin dhe mbyll gojën, vegjeto këtu ose ik qërohu nga ky vend dhe kundro si kavjet vendin tënd në internet nga diku larg. Fundja bukë dhe domate kishte për të tërë. Uji vjen me orar por nuk të than etja, plazhe me bukë me vete ka, kafen e pi dhe 50 lekëshe te lagjja, Greta me Çiljetën këndojnë pa lekë në çdo miting, çunat e gardës të shërbejnë 24 orë mjafton të kesh theks të njëjtë me ta, biznesin e mbyt me gjoba nëse nuk bën punë hangari, universitetet private u shpartalluan me studentë 9-vjeçaresh, në Facebook i mban varur të gjithë me statuset e Erlës. Fundja çfarë ka më shumë Bjellorusia, Azerbajxhani, Ukraina, Moldavia, Rusia, Turkmenistani, Taxhikistani ?
Ndoshta ndonjë ditë a do të guxojë dikush nga ne gazetarët të kalkulojë sesa para publike, sa tonelata mashtrimesh, intrigash, kërcënimesh, joshjesh, pazaresh të fëlliqura u investuan këto vitet e fundit vetëm e vetëm të mbahej ende në pushtet frika dhe poshtërimi? Ndonjë prokuror magjistrat apo pasionant do të mundë të investigojë dhe hetojë sa ishin e sa janë pasuritë e opinionistëve të majtë e të djathtë, taksat që paguajnë, rrobat që veshin. Ndonjë prift, hoxhë apo baba teqeje do të guxojë tu kërkojnë të rrëfehen këtyre mëkatarëve që porsi beniaminë puthadorësh dëmtuan, penguan dhe dhunuan këtë vend. A do të mbajë njeri përgjegjësi pse paratë e taksave për investime publike u konvertuan në reklama dhe honorare për shërbëtorë klanesh të klaneve?
Qeveria e re me dhe pa mëkatet e së kaluarës duhet të rilindë bashkë me premtimet elektorale edhe lirinë sublime të informimit. Ekuilibrat mes mediumeve të tyre dhe të atyre duhet të standardizohen, qokat e reklamave duhet të zbehen sepse edhe Edi edhe Iliri dikur në pushtet me apo pa dashje i kanë akumuluar si eksperienca . Loja me opinionistë tellallë që zhgaravisin realitetin tashmë ka dalë jashtë mode. Njerëzia u vel me freskun që bëjnë Fevziu, Çani, Peka, Çupi, Guma, Çili dhe sesa i besuan këta kodoshë e tregoi me votën historike të 23 qershorit. Vitaliteti i audiencës (të varfër në xhepa) shqiptare pasuroi përfundimisht pjekurinë kolektive të vendimmarrjes. Kësaj here u shkatërruan përfundimisht themelet e mediumeve të korruptuara kopuke. Sa nga kokëfortësia e racës dhe sa nga inovacionet e teknologjisë moderne nuk guxon dot më asnjë fevzi pushteti të shesë pordhët për grosh.
Prandaj i dashur ministër dhe deputet mos u hap bythësh çdo natë duke paguar moderatorin e duke mashtruar nëpër studio televizive por shtroju punës. Kështu kursen edhe paratë që ke ndërmend të vjedhësh, kështu betonizon edhe mandatin që kësaj here ia more katragjyshit me meritë. Fundja nëse nuk ke ndërmend të vrasësh dhe ti opozitarizmin pse do të të duhen opinionistë si ata që mbronin vdekjet e 21 janarit?
*fb.com/bledi.mane
twitter.com/blediMANE
