E Diel, 1 Nëntor 2026

Gazetari Blendi Fevziu kritika presidentit Bajram Begaj: Bën postime si influencer, të thërrasë partitë për konsultime! Ku janë deputetët që bëjnë paradë mode?

Gazetari Blendi Fevziu ka kritikuar Presidentin e Republikës, qeverinë dhe deputetët për mungesën e reagimit pas protestës së studentëve në Tiranë, duke theksuar se institucionet nuk mund të qëndrojnë pasive përballë situatës së krijuar.

protesta e studenteve fevziu

Në reagimin e tij, Fevziu ngriti pikëpyetje për rolin e Presidentit të Republikës, duke kujtuar se në situata të mëparshme krize presidentët kanë thirrur partitë politike për konsultime dhe negociata, ndërsa Bajram Begaj, sipas tij “shkruan në Facebook si influencer”.

“Presidenti i Republikës shkruan në Facebook si influencer dhe jo sikur të jetë institucioni i vetëm që qëndron mbi pushtetin në Shqipëri”, u shpreh Fevziu, duke shtuar se kreu i shtetit duhet t’u kërkojë partive politike të ulen në konsultime dhe të hartojnë një plan për të dalë nga situata.

Kritika e gazetarit u drejtua edhe ndaj ministrave, të cilët, sipas tij, janë mjaftuar me postime në rrjetet sociale, pa dalë për t’u përballur drejtpërdrejt me situatën.

“Një pjesë e ministrave kanë bërë postime në Facebook, pa guxuar të dalin dhe t’i vënë gjoksin situatës, ndërkohë që Rama nuk ka reaguar”, deklaroi Fevziu.

Ai theksoi se reagimi i kryeministrit mund të jetë vendimtar për gjetjen e një zgjidhjeje, por nënvizoi se përgjegjësia nuk mund të mbetet vetëm tek kreu i qeverisë.

“Ku janë deputetët e Parlamentit shqiptar, të cilët i sheh çdo ditë duke bërë paradë mode teksa ngjiten në Parlament, apo që zihen dhe bërtasin? Asnjëri prej tyre nuk ka shkuar te votuesit e tij, me përjashtim të pak deputetëve të opozitës, të cilët janë parë në dyert e komisariateve. Ku është Avokati i Popullit?”, tha ai në “Opinion”.

Blendi Fevziu: Jam në gazetari që nga dita e parë e shtypit të lirë në Shqipëri, më 5 maj 1991. Nuk kam parë kurrë në këto vite një mungesë të tillë respekti dhe reagimi nga institucionet. Pushteti nuk është vetëm kryeministri. Natyrisht që ai duhet të reagojë dhe reagimi i tij do të jetë, le të themi, reagimi final, sepse do të jetë ai që do të marrë vendimin. Pushteti ka një sërë institucionesh.

Ku është Presidenti i Republikës? Presidenti i Republikës, që nga Ramiz Alia në vitin 1991, në momente krize thërriste partitë politike për konsultime, deri te Ilir Meta, i cili deri para ca kohësh thërriste partitë politike për negociata. Presidenti i Republikës shkruan në Facebook si influencer dhe jo sikur të jetë institucioni i vetëm që qëndron mbi pushtetin në Shqipëri.

Ndoshta partitë politike mund të mos i shkojnë Presidentit në një takim, por ai ka detyrimin e tij t’i thërrasë, sepse vendi është në kaos dhe sot askush nuk di të thotë se çfarë do të ndodhë nesër. Presidenti nuk është as OSBE-ja, as Bashkimi Evropian. Është kreu i shtetit, i cili duhet t’u kërkojë partive politike konsultime dhe një plan për të dalë nga kaosi.

Ku janë deputetët e Parlamentit shqiptar, të cilët i sheh çdo ditë duke bërë paradë mode teksa ngjiten në Parlament, apo që zihen dhe bërtasin? Asnjëri prej tyre nuk ka shkuar te votuesit e tij, me përjashtim të pak deputetëve të opozitës, të cilët janë parë në dyert e komisariateve.

Ku është Avokati i Popullit? Kanë kaluar 48 orë, janë publikuar dhjetëra video me përplasje, qoftë dhunë ndaj protestuesve, qoftë goditje ndaj policëve, por nuk ka asnjë lloj reagimi.

Problemi kryesor është qeveria. Një pjesë e ministrave kanë bërë postime në Facebook, pa guxuar të dalin dhe t’i vënë gjoksin situatës, ndërkohë që Rama nuk ka reaguar. Reagimi i Ramës është ai final, i cili mund të gjejë një zgjidhje, por asnjë prej institucioneve shqiptare nuk ka funksionuar.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›