Gazheli pret kreun e Komunitetit të Transportit, bashkëpunim për lehtësimin e qarkullimit tregtar në rajon

TIRANË, 7 tetor/ATSH/ Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Genti Gazheli, zhvilloi sot një takim me drejtorin e Sekretariatit të Komunitetit të Transportit, Matej Zakonjšek.
Gjatë bisedës u shkëmbyen mendime mbi bashkëpunimin ndërinstitucional dhe rëndësinë e koordinimit mes doganave dhe strukturave të transportit për të lehtësuar qarkullimin tregtar dhe për të përmirësuar lidhjet ndërkufitare në rajon.
Takimi u fokusua gjithashtu në vijimin e nismave të përbashkëta për zhvillimin e kalimeve të shpejta për transportin “Green Lanes” dhe përmirësimin e efikasitetit në pikat e kalimit kufitar, si pjesë e përpjekjeve të përbashkëta për një rajon më të lidhur dhe me procedura më të shpejta.
Ky takim nënvizoi angazhimin e Doganës Shqiptare për të vijuar bashkëpunimin me Komunitetin e Transportit dhe partnerët rajonalë në kuadër të përpjekjeve për rritjen e efikasitetit të korridoreve tregtare dhe përmirësimin e lidhjeve ndërkufitare.
Përmes këtyre nismave, Shqipëria konfirmon rolin e saj aktiv në proceset që synojnë integrimin më të plotë të rajonit me tregun e Bashkimit Evropian dhe modernizimin e procedurave të tregtisë dhe transportit. /j.p/