Gazifikimi i Korçës, nisin investigimet gjeoteknike dhe gjeofizike në terren

TIRANË, 11 shtator/ATSH/ Kryetari i bashkisë Korçë, Sotiraq Filo informon se kanë nisur investigimet gjeoteknike dhe gjeofizike në terren për projektin e gazifikimit të Korçës.
Filo thekson se gazifikimi përbën një ndër projektet më të rëndësishme për të ardhmen e qytetit.
Projekti synon ndërtimin e një rrjeti modern të shpërndarjes së gazit natyror, duke ofruar një alternativë më efikase për furnizimin me energji dhe ngrohjen e banesave, si dhe mundësi për uljen e kostove për bizneset.
Sipas Filos, gazifikimi pritet të sjellë përfitime për qytetarët dhe bizneset, përmes një zgjidhjeje afatgjatë për ngrohjen dhe përdorimin e energjisë në proceset teknologjike.
“Një ndër projektet më të rëndësishme strategjike për të ardhmen e qytetit, që do të sjellë një infrastrukturë energjetike moderne dhe një zgjidhje afatgjatë për ngrohjen e Korçës”, tha ai.
Investimi pritet të ndikojë në përdorimin e energjisë më të pastër dhe efikase, mbrojtjen e mjedisit dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik e urban të Korçës.
/e.i/r.e/