E Diel, 1 Nëntor 2026

Karakaçi: Dy TEC-et lundruese do të licensohen, kapaciteti i tyre 100 MW

TIRANË, 11 shtator /ATSH/ Dy TEC-et lundruese do të licensohen dhe vendimmarrja për licensimin e tyre është shtyrë për shkak të plotësimit të disa dokumenteve përkatëse, deklaroi ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi.

Në një komunikim me gazetarët pas mbledhjes së qeverisë, Karakaçi u pyet lidhur me procesin e licensimit të dy TEC-eve lundruese, si dhe për kontratën e re prej 20 milionë eurosh për mirëmbajtjen e tyre gjatë dy viteve të ardhshme.

“ERE nuk ka refuzuar licencimin e tyre. Ka shtyrë në kohë vendimmarrjen për licensimin për plotësimin e disa dokumenteve përkatëse, një prej të cilave lidhet tashmë edhe me marrjen në pronësi të këtyre aseteve, që deri tani ishin me qira, sepse licensa ishte me një afat dyvjeçar, ashtu siç ishte edhe qiraja përkatëse”, tha Karakaçi.

Sipas ministrit, me marrjen në pronësi të këtyre veprave energjetike nga KESH, do të kryhet rilicencimi i tyre për t’i kaluar në një licensë afatgjatë.

Karakaçi theksoi se dy TEC-et lundruese janë në funksion dhe kanë një kapacitet të instaluar prej rreth 100 megavatësh.

“Ato vepra energjetike janë në punë, janë 100 megavat kapacitet i instaluar dhe shërbejnë në mënyrë të plotë për disa arsye. Së pari, për rezervën terciare që i shërben OSHT-së kur kërkon energji shtesë, një element i rëndësishëm për sigurinë energjetike”, u shpreh ministri.

Ai shtoi se këto asete do të vijojnë të jenë pjesë e sistemit energjetik, ndërsa procesi i rilicensimit do të mundësojë funksionimin e tyre me një licensë afatgjatë.

/e.xh/a.f/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›