Gazpromi permbyll marreveshjet per Rrjedhen e Jugut

Gazpromi rus ka nënshkruar një marrëveshje me kompaninë shtetërore energjitike të Bullgarisë për shtrirjen e tubacionit të gazit në projektin “Rrjedha e Jugut”, duke ndihmuar Rusinë të mbajë pozitën e saj si furnizuesi kryesor me gaz i Evropës.
Gjithashtu Bullgaria ka nënshkruar një marrëveshje të re me afat 10 vjecar të furnizimit me gaz nga kompania Gazprom duke filluar nga viti 2013. Kryeministri bullgar, Bojko Borisov, është shprehur se Bullgaria do të ketë një zbritje prej 20 për qind nga 1 janari i vitit të ardhshëm, por nuk ka bërë të ditur çmimin e saktë. Gazprom dhe partnerët e tij kanë marrë një vendim përfundimtar mbi pjesën e investimeve në det të hapur të tubacionit të gazit Rrjedha e Jugut, një rival i projektit të mbështetur nga BE, konsorciumit Nabucco.
"Sot ne kemi nënshkruar vendimin përfundimtar të investimeve në pjesën bullgare të projektit Rrjedha e Jugut dhe duhet të them se Bullgaria, së bashku me ne ka filluar projektin. Vendimi përfundimtar i Investimit do të thotë një marrëveshje përfundimtare e të dy palëve për të filluar projektin”, u shpreh Aleksei Miller.
Kreu i kompanisë ruse Gazprom, ka deklaruar pas firmosjes se Bullgaria kthehet kështu një urë e rëndësishme e tranzitit të gazit rus drejt Evropës
Pas marrëveshjeve të firmosuara me Hungarinë, Slloveninë dhe Serbinë dhe pjesën detare me Italinë, së fundmi ka qenë Bullgaria ajo që e ka nënshkruar atë për pjesën e tubacionit që do të prek territorin bullgar dhe që do të nis ndërtimin më 7 dhjetor. Kalimi në Bullgari i tubacionit të projektit “Rrjedha e Jugut” do të ketë një gjatësi me rreth 540 km për një vlerë të parashikuar prej 3,3 miliardë euro. I gjithë projekti do të ketë një kapacitet maksimal prej 63 miliardë metër kub gaz dhe pritet të nis punën në vitin 2015. BE ende nuk i ka dhënë “ok” përfundimtar projektit për ndërtimin e gazsjellësit që do të transportojë gazin nga Deti i Zi drejt vendeve të Europës, duke anashkaluar Ukrainën.