E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rriten cmimet e banesave ulet kerkesa per kredi

Në gjashtëmujorin e parë të vitit çmimet për blerje banesash kanë shënuar rritje pavarësisht se sektori i ndërtimit është në krizë dhe regjistron një numër të lartë të apartamenteve të pashitura. Sipas të dhënave të publikuara nga BSH, në pjesën e parë të 2012-ës, ndonëse kërkesa për investime në pasuri të paluajtshme ka qenë e ulët, cmimet e banesave janë rritur mesatarisht me 3,3% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Edhe në bazë tremujori indeksi i çmimit të banesave ka qenë më i lartë me 3,6%, krahasuar me tremujorin e fundit të 2011-ës. Por ndryshe nga çmimet e shitjes sipas BSH është vërejtur gjatë kësaj periudhe një rënie e indeksit të çmimeve për qiratë e banesave me 6,3%. Fakti që indekset e çmimit të banesave janë rritur në një kohë kur kredia për blerje pasurie të paluajtshme është tkurrur, është një tregues i kompleksitetit të faktorëve që ndikojnë në kërkesën për pasuri të paluajtshme, madhësinë e ndikimit të tyre në një periudhë kohe të caktuar dhe mund të jetë gjithashtu një tregues për nevojën e përmirësimit të metodologjisë së ndërtimit të indekseve, konstaton BSH. Tkurrja e kredisë për pasuri të paluajtshme ka ardhur edhe në kushtet e një kërkese më të ulët të individëve për kredi për shtëpi, ndonëse në tremujorin e dytë të vitit ka një përmirësim ndaj tremujorit të parë. Ndërkohë, bankat raportojnë se kushtet e miratimit të kredisë në total për individët nuk kanë ndryshuar gjatë tremujorit të dytë dhe pritet të përmirësohen gjatë tremujorit të tretë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›