E Shtunë, 31 Tetor 2026

Genc Mulliqi: Protesta përmes artit, si qytetarë të Tiranës

Një nga artistët që ideoi këtë ekspozitë është skulptori dhe piktori Genc Mulliqi, i cili mblodhi rreth kësaj ideje disa nga emrat më të njohur të artit pamor shqiptar.

Përse zgjodhët një ndërtesë të papërfunduar për të ekspozuar veprat në një mjedis të gjelbër, në një nga lagjet e Tiranës?

Jemi ngjitur me lumin e Tiranës që është një nga vendet më të pista të Tiranës dhe ky është ai kontrasti paradoks që na pëlqeu ne si artistë, ashtu si dhe fakti që në krah të këtij oazi është një ndërtesë e papërfunduar, vendi ku është çelur ekspozita, që gjithashtu simbolizon një vend që është në tranzicion. Ne kemi 20 vjet që jemi në këtë tranzicion dhe duket sikur nuk ka për të përfunduar ndonjëherë, megjithatë e vërteta është se gjërat janë në ndryshim, në zhvillim të vazhdueshëm. Vendi që ne zgjodhëm është padyshim një oaz në kushtet e Tiranës, një mjedis i gjelbër shumë i këndshëm.

Ekspozita titullohet “Mjedis… kushtuar harresës mjedisore”. Por shoh që në këtë ekspozitë jo të gjitha veprat kanë në qendër mjedisin, si p.sh. performanca e pak minutave më parë e Ardian Isufit, titulluar “Vdekja e artistit”…

Kësaj ekspozite i janë bashkuar emra të njohur të artit pamor, si Ali Oseku, Ardian Isufi, Ilir Butka, Najada Hamza, Genc Përmeti, Vladimir Myrtezai, Viktor Ferraj, Artan Peqini, Altin Lika, Petraq Papa, Albes Fusha, Ilir Kaso, me qëllim për të ngritur një shqetësim qytetar që është Mjedisi, por dhe për të vënë në dukje problemet e mjedisit të tyre. Nuk është e thënë që veprat të jenë krijuar për mjedisin. Artisti nuk paraqet thjesht veprën e tij në një ekspozitë, por bashkon emrin e tij përkrah me emrave të tjerë në një protestë për mjedisin. Mjedisi është një problem etik dhe më i rëndësishmi me të cilën ballafaqohet qytetari shqiptar.

Ekspozita është një lloj proteste artistike për problemet mjedisore?

Në veprat e artistëve ka edhe elemente proteste. Krijimet e tyre janë individuale dhe të shumëllojshme. Ka instalacione, punime në pikturë, fotografi, ku diku-diku ndihet protesta, diku-diku utopia apo dëshira për të patur diçka tjetër. Me pak fjalë, ekspozita ka diversitet.

Përse tani kjo ekspozitë?

Ky është një shqetësim për të gjithë ne. Këta artistë nuk përfaqësojnë asnjë grupim politik, por ama përfaqësojnë një shqetësim shumë të madh qytetar, që është mjedisi. Është ai shqetësim që ka të bëjë me jetën tonë, me të përditshmen tonë dhe që është problemi kardinal jo vetëm për ne si artistë, por mbi të gjitha për ne si qytetarë, ku të gjithë duhet të vëmë nga një gur për përmirësimin e kësaj gjendjeje.

Ju me këtë ekspozitë mendoni se e keni vënë gurin tuaj?

Kjo ekspozitë është diçka shumë e vogël krahasuar me këtë problem kaq të madh. Por gjithsesi mendoj se Mjedisi është një problem i cili nuk duhet lënë të mahiset dhe ajo që mund të bëjmë ne si artistë është ndërgjegjësimi përmes artit tonë. Edhe kjo mendoj se vlen, dhe mendoj se gjithsecili duhet të vërë gurin e vet. Padyshim që ne e kemi vënë një gur me këtë ekspozitë, duke parë dhe impaktin që pati ajo.

Pjesë e “menusë” edhe ekspozita

Ekspozita “Mjedis” do të qëndrojë e hapur për një muaj, deri më 3 maj. Të gjithë njerëzve, familjarë, fëmijë apo nxënës shkollash që zgjedhin të çlodhen në mjediset e Nacional Sport Park si pjesë e menusë do t’u ofrohet edhe ekspozita e hapur në Galerinë e Vogël.

Manekinët me maska kundërgaz

Kandidati për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha, është ndalur gjatë në veprën e artistes Najada Hamza (bashkëshorte e ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami). Pesë manekinë, që të vetmen gjë të “veshur” në trupin e tyre kanë maskat kundërgaz, ndërsa, nëse i vështroje nga prapa, në mbishpinën e tyre, ishin vizatuar mozaikë lulesh.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›