Distanca -1, në Korçë duan titullin
Flamurtari mbetet i pari në renditje, por tashmë po e ndjen nga shumë pranë dihatjen e Skënderbeut, atij Skënderbeu që ka qëndruar thuajse një kampionat në ndjekje dhe tani po bën gati parakalimin e madh. Vlonjatët e kanë humbur disi busullën që i çon te tri pikët dhe po bëjnë atë që për korçarët ishte “molla e ndaluar” deri pak javë më parë: po lënë pikë në transfertë. Pavarësisht se, siç i thonë në futboll, “i mbyturi të mbyt”, ai që u mbyt vërtet ishte Flamurtari, që nuk arriti të marrë maksimumin në Durrës, ndonëse kaloi i pari në avantazh. Krejt ndryshe për Skënderbeun, që në Krujë arriti të mposhtte urinë e Kastriotit për pikë dhe doli me fitoren e pastër 0-2. Rezultati? Diferenca mes palëve tashmë mbetet -1 dhe duken shumë të largëta ato kohë kur Flamurtari qëndronte kryelartë në klasifikim me ato 7 pikët e avantazhit, që u reduktuan ndjeshëm në një të vetme. Në të vërtetë, situata është më komplekse se kaq dhe shkak për këtë bëhet kalendari që favorizon tërësisht ekipin juglindor ndaj atij bregdetar.
Si Flamurtari, ashtu edhe Skënderbeu, do t’i pasojnë njëra-tjetrës ekipe të tilla si Shkumbini, Vllaznia, Dinamo, Tirana etj, por nëse vlonjatët pjesën më të madhe të këtyre përballjeve vendimtare do ta luajnë në transfertë (Peqin e Shkodër më të ethshmet), Skënderbeu do t’i presë në Korçë dhe kjo e bën situatën më të favorshme për bardhekuqtë.
Tjetër fenomen që pritet të rikthehet në skenë, dhe parë fundsezonin e ethshëm bëhet i pashmangshëm, janë aleancat e heshtura, apo situata që i kemi parë në dy fazat e kaluara (pritet të rishohim një Dinamo-Skënderbeu dhe një Laçi-Flamurtari)
Por ndërkohë entuziazmi në kampion?????????????? korçar është vërtet i madh. Në 3 ndeshje ata kanë rikuperuar vërtet shumë pikë dhe e shohin veten favoritë, pasi edhe moralisht mund të jenë më mirë se rivalët e tyre. Një provë për këtë është edhe deklarata e trajnerit Magani, që pas barazimit të së shtunës, pranon se Flamurtari duhej të kishte fituar, pasi kishte shumë rrethana në favor: shënoi gol i pari dhe kishte një lojtar më shumë në fushë. “Nuk kemi bërë një paraqitje të mirë. Jemi ndëshkuar në një goditje standarde, nga një ç’orientim i lojtarëve tanë në shtyllën e dytë. Duhet të nxjerrim përgjegjësitë e kësaj ndeshje. Përgjegjësinë kryesore e mbaj unë si trajner, por edhe lojtarët kanë përgjegjësi, sidomos në lojën sulmuese, ndërsa kemi luajtur për gati 20 minuta me një lojtar më shumë se kundërshtari. Por mendoj se edhe tensioni dhe presioni për të marrë pikët me ngulm ndikuan shumë në psikologjinë e lojtarëve”.
Zeqo e dinte: Flamurtari do të gabonte
Presidenti i Skënderbeut, Agim Zeqo e ndjente të afërt ditën kur Flamurtari do të bënte hapin fals dhe tani po përgatit ofensivën për parakalimin që mund të vlejë titullin kampion “Luajtën mirë dhe fituam një ndeshje shumë të rëndësishme, sepse transferta e Krujës ishte shumë e vështirë. Kjo u pa qartë në pjesën e dytë, por djemtë ditën ta administronin ndeshjen dhe kjo më ngrohu. Edhe pse kishte filluar ndeshja në Durrës, nuk e kam pasur shumë mendjen tek ajo sfidë. Jo se isha indiferent, të kuptohemi, por sepse isha i bindur, në mos kësaj jave, javës tjetër, apo më vonë, Flamurtari do të gabonte. Le të luajnë sërish më vonë se Skënderbeu. Ne të fitojmë dhe ata le të jenë nën presion. Edhe njëherë tjetër treguam se nuk jemi ne “sherxhinjtë”, por vlonjatët. Pranuam orarin e vendosur nga FSHF-ja, duke qenë të bindur se nuk është orari i ndeshjes ai që vendos në fushë. Ne do të shohim ndeshjet tona dhe tani do t’i futemi punës për ndeshjen e radhës me Shkumbinin, që si ndeshje shtëpie, as që duhet ta diskutojmë”, ka deklaruar presidenti Zeqo