E Premte, 6 Nëntor 2026

“Gërdeci”, GJKKO rrëzon kërkesë për riekspertim, Mediu: S’është provuar asnjë përfitim personal

TIRANË, 15 maj/ATSH/ Në Gjykatën Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit u zhvillua të mërkurën seanca e radhës e dosjes “Gërdeci”, ku i pandehur është edhe ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu.

Mediu, po përballet në GJKKO me akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”, për ngjarjen e ndodhur në 15 mars në fshatin Gërdec, ku pas një shpërthimi në fabrikën e demontimit të armëve, humbën jetën 26 persona.

Në seancën e zhvilluar sot, Mediu kërkoi riekspertimin ekonomiko-financiar të shpërthimit të Gërdecit. Por kjo kërkesë u rrëzua nga togat e zeza të GJKKO. Megjithatë, GJKKO ka pranuar kërkesën që pala mbrojtëse të pyesë 5 ekspertët ekonomiko-financiar që kanë kryer aktin e ekspertimit për dëmin ekonomik.

Në mbyllje të seancës, Mediu u ndal para medieve, ku tha se deri më tani nuk është provuar asnjë lloj dëmi ekonomik i shkaktuar nga veprimet apo mosveprimet e ministrit.

“Ministri akuzohet për shpërdorim detyre. Shkelja me dashje që kanë sjellë pasoja apo përfitime personale në dëm të interesave të shtetit. Nuk është provuar asnjë përfitim personal, nuk është provuar asnjë lloj dëmi ekonomik për shkak të veprimit të ministrit të Mbrojtjes”, theksoi Mediu.

“Çfarë lidhje ka dëmi ekonomik me shpërthimin e Gërdecit? S’ka asnjë lidhje ligjore dhe shkakësore. Tek akti i ekspertimit janë thirrur përfaqësues të KLSH dhe ministrisë së financave, e kanë të ndaluar me ligj dhe nuk kanë certifikatë. Kanë bërë kontrolle në ministrinë e mbrojtjes dhe nuk kanë gjetur shkelje. Në një seancë sqaruam atë akuzë prej 16 vjetësh që ministri zgjodhi Gërdecin. Nuk kishte ministri asnjë dije dhe nuk e ka zgjedhur Gërdecin. Pala mbrojtëse, tha se nuk është problem se ministri zgjodhi Gërdeci por kushtet teknike”, u shpreh ai

Ish-ministri tha se po bëhet “kokë turku”.

‘Po ju them, se do ju bëj me dije një video ku duket qartë se pas saldimit, baruti nuk mund të marr për shkak të nxehtësisë së saldimit. Nuk është salduar. Roja objektit ka thënë se karroca ka hyrë 30 minuta para shpërthimit. Pse nuk pranojnë të bëjnë një akt ekspertimi. Duan një gjyq politik, ‘koka turku’. Kjo çështje është gjykuar. Urdhri përgatitet nga stafi civil dhe ushtarak, firmoset dhe zbatohet. Kisha me vete 39 urdhra të ministrave të Mbrojtjes para dhe pas meje. Të gjithë shkruajnë në shkresa se transporti bëhet nga FA. Ka në Ministrinë e Mbrojtjes akte që tregojnë sa janë kostot dhe kush i paguan. Ministri i referohet akteve ligjore që janë sipër tij”, tha më tej Mediu.

Sipas ish-ministrit, procesi i demontimit u firmos nga ai, pasi u kërkua nga NATO.

“Mendoj se gjyqi është politik, e ka bërë politika. Nëse SPAK dhe Gjykata ka ardhur tek ideja e bilanceve e dënimeve politike, nuk është drejtësi më. Kjo që kërkon SPAK në akuzë ndodh vetëm në juntat ushtarake. Shefi i shtabit të përgjithshëm është shefi dhe i kryeministrit, dhe presidentit. Unë kam firmosur procesin e demontimin, ka qenë kërkesë e NATO-s. Nuk e kam ditur ku ka qenë Gërdeci, e kam marrë vesh kur ndodhi”, tha Mediu.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›