Nxënësja 10-vjeçare pickohet nga gjarpri në Farkë

TIRANË, 15 maj /ATSH/ Policia e Tiranës njoftoi sot se, një nxënëse e moshës 10 vjeçe, është pickuar nga një gjarpër në Farkë.
Policia bëri të ditur se, rreth orës 12:35, në Farkë, në ambientet e pasme të një shkolle private, një nxënëse e moshës 10 vjeçe, është pickuar nga një gjarpër.
E mitura aktualisht ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Policia e Tiranës gjithashtu njoftoi se, dy të mitur janë konfliktuar në një shkollë 9-vjeçare.
Rreth orës 11:30, në rrugën “Dalip Topi”, në ambientet e një shkolle 9-vjeçare janë konfliktuar dy të mitur të moshës 12 vjeç. Si pasojë është dëmtuar njëri prej tyre i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën, bëri të ditur Policia e Tiranës.
Gjithashtu, Policia e Tiranës bëri të ditur se një 27-vjeçar ka dhunuar grupin e xhirimit të një emisioni investigativ në Bathore.
Rreth orës 13:45, në Bathore, shtetasi O. A., 27 vjeç, banues në Mamurras, dyshohet se ka dhunuar grupin e xhirimit të një emisioni investigativ. 27-vjeçari është shoqëruar në ambientet e Policisë dhe në vijim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i tij, njoftoi Policia, teksa shtoi se, grupet hetimore po punojnë për sqarimin e rrethanave të ngjarjeve.