Geri Malaj, një “Lorik Cana” i riGeri ka tërhequr vëmendjen e disa klubeve në Gjermani. Kjo edhe për faktin se është rritur në Spanjë, dhe ka një virtuozitet të lindur, për më tepër që skauterit vlerësojnë shumë njohuritë e mira të tij në lojë

Falë emrave më të mëdhenj të futbollit shqiptar të 20 viteve të fundit, të tillë si Rudi Vata, Igli Tare, Altin Rraklli, Altin Lala, Ervin Skela, Fatmir Vata, Skerdilajd Curri, Edmond Kapllani, Besart Berisha e një duzine më të re, opinioni për vlerat dhe kualitetet e futbollistëve shqiptarë në kampionatet e niveleve të ndryshme në Gjermani është shumë pozitiv. Madje, termi “albaner” (shqiptari) – është një përcaktim që imponon respekt në ambientet e klubeve sportive, teksa dhe menaxherët e kanë më të lehtë të sjellin futbollistë shqiptarë në Gjermani.
Gjatë verës së kaluar, i fundit që mbërriti në Gjermani ishte Jahmir Hyka me një transferim goxha të shtrenjtë te Mainc 05, një nga skuadrat kandidate për t’u ngjitur në Bundesliga 1. Por, merkatoja verore e ardhshme, që përkon edhe me përgatitjet e sezonit 2009-2010, mund të çojë një tjetër talent shqiptar në Gjermani, por të rritur e edukuar në shkollën spanjolle, pikërisht të Deportivo La Korunjës.
Fjala është për Geri Malajn, mesfushorin shqiptar por me karakteristika të dukshme, për të ndërmarrë një inkursione sulmuese dhe një nga të rinjtë më të vlerësuar në rajonin e Galicisë në Spanjë. Në fakt, për 20-vjeçarin, i cili ka qenë pjesë edhe e Kombëtares shqiptare U-21 në miqësoren kundër Turqisë (2007, Elbasan), ka kohë që interesohen disa klube gjermane të Bundesligës 1 dhe asaj 2.
“Po është e vërtetë, - tha menaxheri i FIFA-s, Mario Cenolli për Albania-sport.com, - Geri ka tërhequr vëmendjen e disa klubeve në Gjermani. Kjo edhe për faktin se është rritur në Spanjë, dhe ka një virtuozitet të lindur, për më tepër që skauterit me të cilët ne kemi lidhje vlerësojnë shumë njohuritë e mira të tij në lojën taktike”
Geri, 186 cm, një admirues i madh i legjendës franceze Zinedin Zidan, por edhe Ksavi te Barça, vlerësohet për agresivitetin dhe personalitetin që tregon në lojë.
“Geri ka cilësi të mira organizuese në lojë, në një farë mënyre mund ta konsiderosh të përafërt me karakteristikat e Lorik Canës, kur ai ishte në moshën e Malajt. Hera-herës nuk i pëlqen të jetë vetëm një rikuperues topash, por dhe të jetë pranë sulmit”, - shtoi Cenolli, i cili punon prej kohësh për agjencinë menaxheriale të futbollistëve “Vata Vision Football Management”, që ka për drejtuesi Rudi Vatën, një ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare dhe një prej emrave më të njohur të futbollit shqiptar në Europë.
Geri Malaj luan prej tetë vjetësh futboll me ekipet e moshave të Deportivos, dhe në dy vitet e fundit ka qenë pjesë e të rinjve të Deportivos, një emri të njohur në Spanjë e më gjerë, teksa muaj më parë ka qenë thirrur edhe në ekipin e parë të Deportivo La Kurunjës.
E Merkure, 15 Prill 2009