E Diel, 1 Nëntor 2026

Gërmimet arkeologjike në veri të vendit, Lugina e Drinit dhe Bushati në fokus të kërkimeve gjatë vitit 2026

Gërmimet arkeologjike që prej disa vitesh po zhvillohen në Luginën e Drinit dhe në zonën e Bushatit, në rajonin e Shkodrës, do të vijojnë edhe gjatë vitit 2026. Dy projektet, të monitoruara nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore dhe të realizuara me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, synojnë dokumentimin e strukturave të hershme urbane dhe elementeve të organizimit të jetës qytetare në veriun e vendit.

“Rajoni i Shkodrës ka disa projekte arkeologjike që po zbatohen, siç është projekti Lugina e Drinit në Mesjetë, një projekt shqiptaro-francez. Po ashtu edhe projekti shqiptaro-polak, Skodra. Ka që në 2011 që zbatohet në Shkodër dhe është  vendosur në Kryebushat ku kemi evidentuar gjurmë të një qyteti ilir, të shekIV-III p.e.s.”, tha Helidon Sokoli, drejtues i DRTK Shkodër.

Zbulimet e deritanishme në Luginën e Drinit kanë nxjerrë në dritë të dhëna me rëndësi të veçantë mbi mënyrën e organizimit të hapësirës urbane të qytetit mesjetar të Sardës.

“Ne kemi njohur dy rrethime të qytetit, por gjatë gërmimeve po hasemi edhe me një rrethim të tretë të qytetit, që rrethonte pjesën e sipërme të tij”, u shpreh Sokoli.

Në sezonin e ri të kërkimeve, që pritet të rinisin në pranverë, arkeologët do të fokusohen në rrënojat e disa manastireve dhe kishave, që datohen mes shekujve XIII dhe XIV, me synimin për të thelluar studimin mbi jetën fetare dhe shoqërore të kohës.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›