Gërvalla: Ndërkombëtarët ta dënojnë sjelljen armiqësore të Vuçiç ndaj Kosovës

PRISHTINE, 14 shtator/ATSH/ Shefja e diplomacisë kosovare Donika Gërvalla i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare të dënojnë sjelljen agresive dhe armiqësore të Aleksandar Vuçiq pasi ky i fundit dje doli me shtatë kërkesa në raport me Kosovën.
Gërvalla shkroi sot në rrjetet sociale se deklarata e Vuçiq për kinse shpalljen si të paligjshme të të gjitha organeve të institucioneve në Kosovë, është përpjekje e dëshpëruar për të sabotuar pavarësinë e Kosovës.Ajo thotë se Vuçiq ka për synim pengimin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, mbajtjen e tensioneve në rajon, pengimin e proceseve integruese në sinkronizim me interesat e Rusisë.
“Kosova, si shtet sovran dhe i pavarur, me territor të mbrojtur dhe integritet territorial të pacenueshëm, si shteti me demokracinë më të konsoliduar në rajon, si vendi me rritjen më të lartë ekonomike në rajon, si shteti i qytetarëve të saj, sot është më e fortë se asnjëherë më parë”, ka shkruar Gërvalla.
:Duke qenë plotësisht i ndërgjegjshëm që personat, të cilët me urdhër të tij janë përfshirë në vepra penale, krime dhe akte të dhunshme në Kosovë tashmë nuk mund të luajnë asnjë rol në jetën publike dhe institucionale të Kosovës, kërkon kthimin në gjendjen e mëparshme, pa treguar madje së paku arsyet e largimit dhe bojkotimit të institucioneve”, shkruan Gërvalla.
“Faktorëve ndërkombëtarë u bëjmë thirrje të dënojnë me gjuhë të qartë dhe qëndrime të vendosura qasjen, sjelljen dhe gjuhën agresive dhe armiqësore të Aleksandër Vuçiq karshi Republikës së Kosovës”, përfundoi kryediplomatja e Kosovës. /KosovaPress/