Gëzim Çela mbetet në burg, drejtësia shqiptare 40 ditë afat për të paraqitur provat për ekstradimin

Paraburgim 40 ditë për Gëzim Çela. Ky është vendimi i marrë nga Gjykata e Ferizajt, për një nga personazhet që dyshohet se është një prej kokave më të mëdha të trafikut të kokainës dhe heroinës në Evropë.
Vendimi u dha të shtunën nga gjykata, një ditë pasi Çela ra në pranga pas bashkëpunimit të autoriteteve shqiptare dhe atyre të Kosovës.
Brenda 40 ditëve organet e drejtësisë shqiptare duhet të paraqesin edhe kërkesën për esktradimin e tij, pasi, sipas gjykatës së Ferizajt, pasi Gëzim Çela, “është i kërkuar nga autoritete e Republikës së Shqipërisë, në bazë të urdhër arrestit ndërkombëtar për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale trafikimi me narkotik”.
Gëzim Çela ka qenë i shpallur në kërkim nga policia shqiptare dhe ajo e disa vendeve evropiane për trafik droge dhe prostitucion.
“Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit Gëzim Çela, i kërkuar nga Autoritete e Republikës së Shqipërisë, në bazë të urdhër arrestit ndërkombëtar për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale trafikimi me narkotik nga neni 283 a/2 dhe prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit nga neni 278/4 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë (KPRSH) në përputhje me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në njoftim për shtyp.
Gjykata e Ferizajt vendosi masën e paraburgimit në kohëzgjatje 40 ditëve, ndërsa pritet që autoritetet shqiptare të fillojnë procedurat për kërkesën për ekstradimin e tij.
Arrestimi
Policia e Kosovës, përmes një njoftimi për media bëri të ditur se Gëzim Çela është arrestuar në një fshat në Ferizaj.
“Policia e Kosovës, konkretisht zyrtarë policorë nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotik (DHTN), pas një pune intensive operative dhe në bashkëpunim e koordinim me autoritetet policore të Republikës së Shqipërisë, sot më 08.12.2023, në një fshat në Ferizaj, kanë arrestuar një të dyshuar”, thuhet në njoftim.
I dyshuari në momentin e arrestimit ishte në shoqëri me dy shtetase të Shqipërisë dhe një mashkulli nga Kosova.
“Hetuesit policorë nga DHTN-ja kanë arritur që sot rreth orës 17:55, të lokalizojnë vend-ndodhjen e të dyshuarit, i cili ishte në kërkim ndërkombëtar. I dyshuari G.Ç., (mashkull shtetas i Shqipërisë), në momentin e arrestimit ishte në shoqëri me dy femra shtetase të Shqipërisë dhe një mashkulli nga Kosova”.
“Dyshohet se shtetasi i Kosovës, ka strehuar për një kohë në shtëpinë e tij në një fshat të Vitisë, të dyshuarin nga Shqipëria. Arrestimi është kryer në fshatin Dardani të Ferizajt dhe hetuesit e anti-drogës gjatë operacionit të arrestimit të të dyshuarit janë mbështetur nga njësi tjera të PK-së”, bëhet e ditur mes tjerash.
Për arrestimin thuhet se janë njoftuar organet e drejtësisë dhe me urdhër nga prokurori i Departamentit të Krimeve të Rënda në Ferizaj, është kontrolluar shtëpia e të dyshuarit A.I., në një fshat të Vitisë.
“Gjatë kontrollit në shtëpi është gjetur dhe konfiskuar një AK-47 me 15 fishekë. Po ashtu, lidhur me rastin është njoftuar edhe Njësia FAST-ILECU të cilët në koordinim me organet e drejtësisë, do të merren me procedura rreth rasteve kur kemi të bëjmë me arrestime të personave që janë në kërkim ndërkombëtar”, përfundon njoftimi i policisë.
/rtsh.al/