“Gëzim në familje”, Rama: Këtë vit kanë përfituar bonusin e bebes 23,342 fëmijë!

Kryeministri Edi Rama e ka nisur mëngjesin e tij me lajmin se 23,342 fëmijë që kanë sjellë gëzim për familjet e tyre këtë vit, kanë ardhur në jetë bashkë me bonusin e bebes që shpërndan qeveria.
Sipas zotit Rama prej fillimit të këtij programi universal në vitin 2019, janë 95,524 fëmijë që kanë përfituar bonusin e bebes, 40,000 lekë për fëmijën e parë, 80,000 për fëmijën e dytë dhe 120,000 lekë për fëmijën e tretë.
Bonusi i bebes është një ndihmë që jepet nga janari i viti 2019 për të gjitha familjet që bëhen me fëmijë, pavarësisht statusit social-ekonomik. Bonusi përfitohet menjëherë nëse prindërit e regjistrojnë të porsalindurin në zyrën e posaçme të hapur në çdo maternitet në vend. Ai përfitohet në dy pjesë nëse prindërit zgjedhin ta regjistrojnë fëmijën e tyre më vonë. Për fëmijët që lindin në spitale private, apo jashtë vendit, çeku i bebes do të lëshohet nga Ministria e Shëndetësisë pas regjistrimit të të porsalindurit në zyrat e gjendjes civile.