E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjallerohet kredia ne shtator

Rritja e huadhënies në monedhën vendase lekë ka bërë që në muajin shtator kredia për sektorët e ekonomisë të rritet pas katër muajve në ulje. Sipas të dhënave të BSH totali i kredisë për ekonominë ka shkuar në 557.2 miliardë lekë në fund të muajit shtator, duke shënuar një tendencë rritjeje mujore (prej 0.9%), për herë të parë që nga muaji prill i këtij viti. Kredia në lekë arriti në 204 miliardë lekë, me një rritje me bazë mujore prej 1.6%, ndërsa dhe ajo në valutë u zgjerua me 0.5% në 353 miliardë lekë. Në fund të shtatorit 2012 kredia në valutë përbënte 63% të totalit të kredisë. Në krahasim me dhjetorin 2011, huaja për ekonominë është zgjeruar me 15 miliardë lekë, apo 2.8%. Për periudhën përkatëse të një viti më parë, këto shifra ishin përkatësisht + 45 miliardë lekë dhe + 9.3%. Me bazë vjetore, huadhënia për ekonominë është rritur me 5.5% nga 5% në muajin gusht. Ecuria e muajve të fundit tregon se bankat janë më aktive në ndërmjetësimin në monedhën vendase ndërkohë që ato kanë ulur ndërmjetësimin në monedhë të huaj. Ky zhvillim është diktuar si nga gatishmëria e bankave për të investuar fondet në lekë ashtu edhe nga ndërgjegjësimi në rritje i agjentëve ekonomikë për rreziqet që mbart kreditimi në valutë. Sipas guvernatorit të BSH Ardian Fullani, problemet e kredidhënies lidhen kryesisht me kërkesën e ulët të agjentëve ekonomikë për mjete monetare. Sistemi bankar vijon të jetë i kujdesshëm në përzgjedhjen e projekteve që financon, si pasojë e rënies së cilësisë së portofolit të kredisë dhe e pasigurive të perceptuara për të ardhmen. Bankat kanë vazhduar të mbajnë kritere të shtrënguara kredidhënieje, duke u shfaqur mjaft përzgjedhëse në vlerësimin e planeve të biznesit dhe në përmbushjen e kërkesave për kredi. Në tërësi, Banka e Shqipërisë vlerëson se krijimi i një klime më pozitive do të ndihmonte në gjallërimin e kërkesës për kredi dhe të aktivitetit kreditues. Sistemi bankar i vendit mbetet i mirëkapitalizuar, likuid dhe i aftë për t’iu përgjigjur nevojave të ekonomisë me kredi.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›