Gjashtë aksidente brenda disa orësh, 5 të vdekur dhe 18 të plagosur. 4 viktima nga një familje në Kukës

FOTO ARKIV
(E PERDITESUAR)- Nuk sosin lajmet e këqija nga aksidentet në këtë ditë me mot të keq.
Një makinë ka rënë në humnerë në aksin Durrës- Kukës, në vendin e njohur si Kthesa e Kolshit.
Si pasojë kanë gjetur vdekjen katër persona, ndërkohë që janë plagosur dy të tjerë. Mësohet se të aksidentuarit i përkasin familjes Cengu. Makina drejtohej nga Ilmi Cengu, 45 vjeç, i cili ka mbetur i vdekur. Viktima tjetër është bashkëshortja e tij, Zylfie Cengu, ndërsa viktima e tretë është nusja e djalit të tyre Blerta Cengu. Trupat e viktimave janë nxjerrë tashmë nga gremina. Pas disa orësh humbi jetën në spital edhe vajza e çiftit Cengu, 20-vjecarja Diana Cengu, ndërsa ndodhet i plagosur djali i Blerta Cengut, V.Cengu, 5-vjeç. Mësohet se Blerta humbi jetën gjatë transportimit drejt Spitalit Ushtarak, ndërsa djali i saj ndodhet ende në gjendje të rëndë.
Ata po ktheheshin nga një dasmë.
Ndërkohë Ramiz Cakoni ka gjetur vdekjen ndërsa udhëtonte me makinën e tij në aksin Klos- Bulqizë. Makina e tij tip Benz me targa Shkodre ka dalë nga rruga, ndërkohë që është plagosur e shoqja e Cakonit dhe një pasagjer.
Aksidenti i parë i ditës u shënua në Qafën e Kërrabës, ku një furgon me pasagjerë u përplas me një veturë. Nga aksidenti mbetën të plagosur tre persona, që u dërguan në spitalin e Elbasanit.
Më pas u shënua edhe një tjetër aksident në aksin Qafë Thanë- Pogradec, me pasojë plagosjen e tre personave. Një makinë me targë AA 388 DL ka dalë nga rruga si pasojë e lagështirës dhe shpejtësisë.
Pasdite u shënua një aksident me pesë të plagosur në aksin Vlorë- Levan. Po pasdite janë përplasur dy makina në zonën e njohur si Instituti në Tiranë.
Shkaqet e këtyre aksidenteve ka qenë koha e keqe, lagështira në rrugë, por edhe shpejtësia e shoferëve.