Bizneset, pesëfishohet gjoba për punën e zezë
Qeveria do të pesëfishojë gjobat për të gjithë ato biznese që nuk deklarojnë numrin real të punonjësve, por i detyrojnë ata të punojnë në të zezë. Sipas Ministrisë së Financave mospagimi i sigurimeve shëndetësore dëmton jo vetëm jetën e punonjësve, por njëkohësisht ul edhe të ardhurat në buxhetin e shtetit.
Informaliteti
Draftet e diskutuara dje në mbledhjen e radhës së Këshillit Konsultativ të Biznesit së pari rrisin masat represive mbi bizneset që nuk deklarojnë të punësuarit, duke pesëfishuar nivelin e gjobës në 500 mijë lekë. Ndryshimet ligjore u bënë të ditura nga zv.ministri i Financave Alfred Rrushaj i cili tha se: “I kemi ulur në mënyrë të ndjeshme koston si punëdhënësve, si punëmarrësve për sigurinë e punonjësve, por nuk do të lejojmë në asnjë mënyrë që edhe kjo kosto minimale të mos paguhet”, tha zëvendësministri i Financave, Alfred Rrushaj.
Industria e drurit
Krahas informalitetit, Qeveria ka përgatitur një paketë të re fiskale, e cila prek një pjesë të gjerë biznesesh duke ndryshuar disa taksa dhe procedura tatimore njëherazi.
Kështu një masë tjetër është ajo që tenton të kufizojë prerjen masive të pyjeve, përmes vendosjes së një takse prej 30 për qind mbi eksportet e lëndëve drusore. “Ajo çfarë është konstatuar në vitet e fundit është një rritje e madhe e eksportit të lëndës drusore. Priten pyjet dhe eksportohen për dru zjarri. Kostoja që shtohet është një kosto që do të përjashtonte përdorimin e lëndëve tona drusore si dru zjarri në tregjet e huaja”, tha Rrushaj.
Administrata tatimore
Gjithashtu edhe mbledhja e taksës së biznesit të vogël do të ndryshojë dhe nuk do të mblidhet më nga inspektorët e bashkive dhe komunave por nga tatimet qendrore, ndonëse të ardhurat do shkojnë sërish për pushtetin vendor. “Ne kemi dorëzuar që kjo taksë të mblidhet nga administrata tatimore, duke mbajtur një komision në masën 3 për qind”, tha zëvendësministri.
Heqja e TVSH-së
Një tjetër draft i diskutuar është edhe ai që heq Tatimin mbi Vlerën e Shtuar për makineritë dhe pajisjet, por Qeveria paralajmëroji se do të kufizojë listën e tyre për të mos lejuar abuzimet. Po kështu zëvendësministri Rrushaj tha se në paketën e re fiskale është parashikuar edhe heqja e tarifës doganore prej 10 për qind për kafenë e papërpunuar si dhe heqja e TVSH-së për importin e hekurit dhe çimentos. Sipas Këshillit Konsultativ të biznesit pritet që këto ndryshime ligjore të ulin ndjeshëm informalitetin në ekonomi dhe do të jenë një shtysë e rëndësishme për biznesin për të forcuar kapacitetet dhe rritur investimet.
Ndryshimet ligjore
Propozohet heqja e TVSH-së së importit për makineritë dhe pajisjet, për kafen e papërpunuar si dhe për furnizimin e hekurit dhe çimentos.
Propozohet kalimi i administrimit të taksës së biznesit të vogël nga njësitë vendore, te administrata tatimore,
Propozohet vendosja e një tarife doganore për eksportet e lëndëve drusore, pasi me industrinë e drurit vitet e fundit po abuzohet ndjeshëm.
Propozohet rritja e gjobave për të gjitha ndërmarrjet që nuk deklarojnë punonjësit e tyre, dhe i detyrojnë ata të qëndrojnë në punë pa sigurime shoqërore.